Bislimi i LDK-së i reagon Latifit: Pa Rugovën, lufta e UÇK-së do të përfundonte ndryshe

  • E.K /
  • 18 January 2022 - 11:03
Bislimi i LDK-së i reagon Latifit: Pa Rugovën, lufta e UÇK-së do të përfundonte ndryshe

Zyrtari i LDK-së, Faton Bislimi i ka reaguar profesorit Blerim Latifi, i cili mbrëmë tha se Kosova nuk do të çlirohej e pavarësohej kurrë pa luftën e UÇK-së dhe se mënyra e Ibrahim Rugovës nuk do t’i sillte vendit më shumë sesa një autonomi.

“Jo, Blerim, jo!”, shkruan Bislimi në krye të reagimit ndaj Latifit.

“Lufta e popullit shqiptar të Kosovës për liri është sakrificë që nuk personalizohet! Roli i UÇK-së nuk mund të ndahet nga kjo sakrificë, po aq sa s’mund të ndahet as udhëtimi plot vuajtje i këtij populli për liri e për pavarësi nga lidershipi dhe vizioni i Ibrahim Rugovës!”, ka shkruar ai.

Bislimi thotë se lufta e Kosovës do të kishte përfunduar ndryshe pa angazhimin e Rugovës.

“Pa Rugovën, çështja e Kosovës nuk do të kishte arritë të njihej siç duhej e të përkrahej sa duhej nga kryeqendrat e botës demokratike, e veçanërisht nga Washingtoni! Pa këtë njohje e përkrahje paraprake, lufta jonë do kishte përfunduar ndryshe — kjo dihet botërisht”, shkruan ai.

“Mohimi i Rugovës e rolit të tij në periudhën më delikate të shpërbërjes së Jugosllavisë e rënjes së komunizmit dhe nënës së kësaj ideologjie famëkeqe (sidomos për shqiptarët) – Bashkimit Sovjetik – është mohim i rrënjëve të lirisë e pavarësisë së Republikës sonë”, ka shtuar ai.

Kosova, thotë Bislimi, mban vizionin e Rugovës, por edhe gjakun e sakrificën e popullit.

“Por, mirë që historia jonë nuk shkruhet e as mësohet nga studiot televizive ku secili mund të përdhosë lirinë e shprehjes! Republika jonë në themelet e veta mbanë vizionin e Rugovës, gjakun e bijave e bijëve më të mira të kombit që simbolizohen nga figura e pashoq e Adem Jasharit, dhe sakrificën e vuajtjen e pashembulltë të popullit tonë. E, ndërtimi tutje i kësaj Republike do vazhdojë bashkë me ata që na ndihmuan me ia vendosë themelet, me ata që qysh më 1986 bënin rezoluta kongresionale për shqiptarët e Kosovës!”, ka shkruar Bislimi.

Teksa ish-kryediplomati Skender Hyseni tha mbrëmë në Pressing se Kosova kishte debatuar shumë me ndërkombëtarët që kërkonin autonomi, Latifi tha se pa luftën e UÇK-së, Kosova do të kishte marrë vetëm aq.

“Z.Hyseni (Skender) tha se e kemi refuzuar më 1995 autonominë. Unë po të garantoj se nëse nuk kish shpërthyer lufta e UÇK’së na kishim përfunduar me një autonomi sa për që Rugova kish refuzuar”, ka thënë Latifi.

“Ti mundesh me nënqeshë por nëse s’kish shpërthyer lufta këtu, nëse nuk ish derdh, më fal është pak frazë e rëndë, por nëse nuk ish derdh gjaku në këtë vend, nëse nuk do të ishte luftuar në këtë vend ne kishim përfunduar në autonomi herët a vonë”, ka shtuar ai.

Ndërsa Hyseni tha se pa përkrahjen e ndërkombëtarëve, Kosova s’do të çlirohej e pavarësohej, dhe këtë mbështetje të arritur ia atriboi Ibrahim Rugovës.

“Po të mos ishte intervenimi i NATO’s ti s’do të kishte as autonomi as shtet”, ka thënë Hyseni.

(Kosova Sot Online)