Joseph: T’i qasemi Serbisë nga një pozicion i fuqisë që çon në bashkëpunim

  • E.K /
  • 19 January 2022 - 12:56
Joseph: T’i qasemi Serbisë nga një pozicion i fuqisë që çon në bashkëpunim

Profesori amerikan i Universitetit Johns Hopkins, Edward Joseph, i cili është një nga autorët e raportit “Nga kriza në konvergjencë – një strategji për të trajtuar paqëndrueshmërinë në Ballkan në burimin e saj”, ka theksuar se ndërsa Rusia po e teston vendosmërinë e SHBA-së dhe NATO-s në Ukrainë, kjo strategji ia mohon Moskës “partnerin” e saj jetik në Ballkan.

Joseph kërkoi që Serbisë t’i qaset nga një pozicion i fuqisë që çon në bashkëpunim, duke theksuar rrezikun nga Beogradi.

“Përderisa Rusia e teston vendosmërinë e ShBA-së/Aleancës në Ukrainë, kjo Strategji e re ia mohon Moskës “partnerin” e saj jetik në Ballkan. T’i qasemi përfundimisht Serbisë nga një pozicion i fuqisë, që çon në bashkëpunim, në vend të frikës, që çon në përgjërimin e rrezikshëm të Beogradit. Kosova”, ka shkruar profesori amerikan.

Çfarë thotë Raporti?

Në raport, autorë të të cilit janë ekspertë nga SHBA-ja, Kosova, Serbia, Rumania, Sllovakia e Spanja, thuhet se është e nevojshme që shpërbërja tre dekadash e Jugosllavisë të përfundojë aty ku filloi – në Kosovë.

Strategjia e konvergjencës, përkatësisht përafrimit gradual të pikëpamjeve dhe opinioneve të kundërta, është një udhëzues që u sugjerua të përdoret në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të shumë dekadave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në planin afatgjatë, një qasje e tillë vlerësohet se do të kontribuonte në stabilizimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Raporti nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit Johns Hopkins dhe Qendra Wilson – një nga institucionet prestigjioze akademike të Amerikës ofron prpopozime, një strategji për një kthesë – jo vetëm në lidhje me përkeqësimin shqetësues të situatës në Ballkan, por edhe ndikimin rus dhe kinez në rajon që është në rritje.

“Në thelb të strategjisë është një argument i qartë: shpërbërja tre dekadash e Jugosllavisë duhet të përfundojë aty ku filloi – në Kosovë. Kjo vlen edhe për krizën e vazhdueshme në Bosnje dhe Hercegovinë. “Sanksionet e SHBA të vendosura në fillim të janarit, edhe nëse shtrihen në një gamë më të gjerë figurash të korruptuara në vend, nuk do të zgjidhin paralizën e paqëndrueshme të Bosnjës prej dekadash”, thuhet në raport.

U saktësua se njohja e pavarësisë së Kosovës nga katër anëtarët e Aleancës Veriatlantike (NATO), të cilat ende nuk e kanë bërë këtë (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia), do të kontribuonte në transformimin e dialogut, i cili vlerësohet se është “duke dhënë shpirt”, si dhe i gjithë rajonit, përfshirë këtu edhe Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Të bindësh ato katër shtete anëtare të NATO-s, si dhe të pestën – Qipron, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, por jo e Aleancës, nuk është e lehtë. Do të duhet një përpjekje e vendosur e administratës së presidentit amerikan Joseph Biden, së bashku me aleatët kryesorë, për të bindur vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Politik bërësit përtej Atlantikut do të investojnë në këtë përpjekje vetëm nëse janë të bindur për domosdoshmërinë, përfitimet më të gjera dhe qëndrueshmërinë e një qasjeje të tillë – dhe nëse pranojnë se qasja e tyre aktuale nuk do të funksionojë”, thuhet në dokument.

Në vend se të ushtrohet presion mbi palët që nuk janë të gatshme ta njohin Kosovën, raporti avokon një strategji të konvergjencës apo përafrimit të qëndrimeve të atyre vendeve me një qasje të shumicës të mbrojtur nga Bashkimi Evropian dhe Aleanca e Veriatlantike.

Kjo, siç u tha, mund të arrihet nëse Perëndimi përcakton një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Kjo tezë bazohet në pretendimin se përparimi në Ballkan varet nëse Serbia do të pranojë vendosjen e rendit në rajon bazuar në vlerat perëndimore.

“Në rastin e Serbisë varet nga qëndrimi i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën ndaj kësaj çështjeje. Me pak fjalë, vendet evropiane që nuk e kanë bërë këtë, si dhe ato që e kanë bërë – janë çelësi i stabilitetit rajonal”, thuhet në tekst.

Një nga metodat potencialisht të suksesshme është identifikimi dhe zbatimi i procedurave që nuk paraqesin njohjen e pavarësisë, por zvogëlojnë ndikimin e Serbisë dhe sinjalizojnë Beogradin dhe Prishtinën për një ndryshim të mundshëm të qëndrimeve të vendeve që nuk e njohin Kosovën.

Këtu më së shumti aludohet për bashkëpunimin dhe dialogun me Greqinë, një nga pesë vendet anëtare të BE-së, e cila konsiderohet nga bashkësia ndërkombëtare si e para që ka hequr dorë nga qëndrimi aktual parimor në lidhje me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, një pjesë e vëmendjes së raportit është përqendruar në progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

“Gjë që do të kontribuonte në uljen e numrit të shteteve, njohja e të cilëve nevojitet në katër”. Kjo e lë jashtë Qipron – vendin që së paku do të jetë i vendosur të bëjë një hap drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, në këtë tregim përfshihet edhe  Mbretëria e Bashkuar (anëtare e NATO-s) dhe një vend që konsiderohet si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, ai dërgon një mesazh të fortë bindës për aventurizmin rusë dhe serbë në rajon”, thuhet në raport.

Gjithashtu u theksua se administrata e presidentit amerikan Biden duhet të emërojë një përfaqësues të ri diplomatik si të dërguar special për njohjen e Kosovës.

Masa do të kombinohej me një paralajmërim të qartë nga Shtetet e Bashkuara për të sanksionuar çdo lider në Shqipëri apo Kosovë që promovon çdo lloj bashkimi midis dy vendeve të pavarura.

(Kosova Sot Online)