“Kurti konfuz për orientimin strategjik të Kosovës, SHBA të emërojë emisar special për njohje”

  • E.K /
  • 19 January 2022 - 14:19
“Kurti konfuz për orientimin strategjik të Kosovës, SHBA të emërojë emisar special për njohje”

Gjashtë autorë, përfshirë edhe një kosovar, kanë publikuar një raport/strategji rreth asaj se si duhet luftuar jo-stabiliteti në Ballkan. Ky raport është shkruar nga amerikani, Edward Joseph, që është edhe kryetautor, Branislav Radeljic nga Serbia, Lulzim Peci nga Kosova, Iulia Joja nga Rumania, Jan Cingel nga Slovakia dhe Pol Vila Sarria nga Spanja.

Në përmbledhjen e këtij raporti, thuhet se shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë aty ku ka nisur, pra në Kosovë. Derisa për të ndodhur një gjë e tillë, në raport specifikohen një mori çështjesh dhe propozimesh, të cilat sipas autorëve do të çonin rajonin drejt stabilitetit dhe do të sfidonin seriozisht ndikimin rus dhe kinez.

Në raport thuhet se njohja e Republikës së Kosovës nga katër shtetet anëtare të NATO-së, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, do të luante një rol të madh në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, gjithë rajonin dhe në mënyrë specifike Bosnje e Hercegovinën.

Për të ndodhur një gjë e tillë, në raport thuhet se duhet të ketë një përfshirje direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes emërimit të një “emisari special” i cili do të merret në mënyrë specifike vetëm me vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Këtu në mënyrë të veçantë përmendet përpjekja për të siguruar njohjen nga Greqia, ku thuhet se duhet avancuar për punën e caktimit të një date për të ndodhur njohja nga Greqia, njohje të cilin e quajnë të “pa evitueshme”.

Gjithashtu thonë se emërimi i mundshëm i një emisari për njohjet duhet të plotësohet me një paralajmërim të SHBA-së për liderët në Shqipëri dhe Kosovë që promovojnë bashkimin kombëtar.

Në vazhdim të këtij raporti përmendet edhe orientimi perëndimor, duke thënë se Kosova vazhdon të jetë në një konfuzion të orientimit strategjik, derisa sipas tyre Serbia po e luan lojën shumë mirë në këtë aspekt.

Kur flasin për “mjegullim të rrugës së orientimit perëndimor”, autorët përmendin disa vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, të cilat sipas tyre kanë shkaktuar irritim.

 Këtu përmendin refuzimin kategorik të kryeministrit Albin Kurti për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe, promovimin i bashkimit me Shqipërinë, gjë që sipas autorëve është një qëndrim në shpërputhje të plotë me qëndrimin e Perëndimit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Teksa flitet për veprime të tilla, përmendet edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për të pezulluar për një kohë projektin amerikan të gazsjellësit, që sipas autorëve është një projekt që do të sfidonte dominimin e gazit rus në rajon.

Gjithashtu përmendet edhe çalimi në implementimin e Marrëveshjes së Ëashingtonit dhe gjithashtu refuzimi i projektit të “Mini Shengenit”.

Fundi i listës me (mos)veprime që sipas autorëve kanë shkaktuar irritim, përmbyllet nga dështimi për implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe mos mbajtja e premtimit nga kryeministrin Albin Kurti për dialog me serbët e Kosovës ku do të flitej për shqetësimet e komunitetit.

Në këtë raport gjithashtu thuhet se do të ishte e pëlqyeshme që të vendosen sanksione për “promovimin provokativ” që kryeministri Albin Kurti ia bën “Shqipërisë së Madhe” dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, gjë të cilën Kurti e sheh si “Korrigjim të një historie të padrejtësisë për shqiptarët”.

(Kosova Sot Online)