“Me urdhër të prokurorit, i dyshuari lirohet…”, tre burra që rrahën gratë lirohen në procedurë të rregullt

  • E.K /
  • 20 January 2022 - 10:54
“Me urdhër të prokurorit, i dyshuari lirohet…”, tre burra që rrahën gratë lirohen në procedurë të rregullt

Prokuroria e Prishtinës dhe ajo e Mitrovicës i kanë liruar në procedurë të rregullt tre burra që i kanë rrahur bashkëshortet e tyre.

Njëri rast ka ndodhur më 13 janar të këtij viti në Prishtinë. Gruaja ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti.

Pas sulmit, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit, burri i saj është liruar në procedurë të rregullt.

“Prishtinë, 13.01.2022. Viktima femër kosovare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh të së enjtes.

Tjetër rast i dhunës në familje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në Prishtinë.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili pas një mosmarrëveshjeje verbale, e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Prishtinë, 19.01.2022 – 00:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili pas një mosmarrëveshje verbale, e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij- viktimës femër kosovare. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar të procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

Ndërkaq një grua tjetër që është rrahur nga bashkëshorti, ka shkuar te familja e saj, bashkë me fëmijët.

Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur mesditën e së mërkurës në Vushtrri.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Vushtrri, 19.01.2022-14:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje në familje, e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij femër kosovare. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore dhe e njëjta së bashku me fëmijët e saj ka shkuar te familja e saj. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

(Kosova Sot Online)