Në komisionin e ligjeve zbulohet “rastësisht“ skenari kriminal i zvarritjes së hetimeve nga prokurorët e lidhur ngushtë me rrjetet e krimit të organizuar dhe mafio-politikën!

Në komisionin e ligjeve zbulohet “rastësisht“ skenari kriminal i zvarritjes së hetimeve nga prokurorët e lidhur ngushtë me rrjetet e krimit të organizuar dhe mafio-politikën!

Gani Qarri

  • 20 January 2022 - 07:48

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Kjo mënyrë abuzimi është zbuluar në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, derisa është mbajtur dëgjim publik për Projekt kodin e procedurës penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

-Së fundi u “zbulua” edhe një skandal tjetër, i panjohur deri më tani, i zvarritjes së pafundme të procedurave për fillim të hetimeve nga ana e prokurorisë, pa marrë parasysh kur rastet paraqiten nga ana e policisë, qytetarët si persona fizik, apo edhe nga bizneset në cilësinë e personave juridik, pasi që në legjislacionin ekzistues është lënë hapësirë manipulative e zvarritjes, seleksionimit e manipulimit, varësisht nga interesi I lidhjes me grupet e caktuar të interesit, deri te mafio-politika.

E për ta arsyetuar lojën e deritashme të dështimeve të qëllimshme, të para-programuara nga vet Prokuroritë dhe Gjykatat, ndër shumë rekomandime të dhëna nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është edhe kërkesa që më në fund të caktohet një afat kohor për Prokurorinë, kur duhet të nis hetime pas dorëzimit të kallëzimit penal, përderisa një zbrazësi e tillë e pa përcaktuar ka penguar shumë, si efektivitetin e punës, ashtu edhe efikasitetin e trajtimit të rasteve të denoncuara.

Kurse kërkesën në fjalë, e ka bërë Agim Maliqi, një nga Gjyqtarët e Gjykatës Supreme, i cili në këtë rast ka përfaqësuar edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dhe ka paraqitur disa nga rekomandimet e tij, e ndër to ishte kërkesa që përmes këtij kodi të vendoset një afat kohor kur prokurori, duhet të nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve pas dorëzimit të kallëzimit penal nga ana e Policisë, për të mos u mykur edhe më tej, rastet e mbetura e të harruara nëpër sirtarët e Prokurorisë. Prokurori edhe sot e kësaj dite përkundër faktit që për një kohë të gjatë prej vitit 2013 ekziston Kodi i Procedurës Penale në fuqi nuk është qartësuar se sa mund ta mbaj këtë kallëzim penal në sirtarin e tij, prandaj ne jemi të mendimit që të limitohet afati deri kur kallëzimi penal duhet të mbetet tek prokurori dhe pastaj të fillohet afati i llogaritjes së periudhës së hetimit.

Shpeshherë ndodhë që deri në Gjykatën Supreme të kemi paqartësi me këtë dispozitë, pasi që është një opinion i Gjykatës Supreme që ky 30 ditshi i kallëzimit penal nuk është fillim i hetimit por duhet patjetër që të nxirret një aktvendim për të nisur hetimin me qëllim që të filloj të llogaritet, koha 2 vjeçare dhe 6 mujori. Por përkundër të gjithave, dispozita në fjalë nuk duhet t’i lë kaq diskrecion të gjerë Prokurorit të Shtetit që kushtimisht edhe me vite të tëra ta mbajë kallëzimin penal për arsye të panjohura.

Ndaj kërkesë e përfaqësuesit të KGJK ishte që kjo të rregullohet me një dispozitë të re dhe të vendoset një afat qoftë 90 ditë apo 120 ditë me qëllim që prokurori ta ketë afatin e përcaktuar se kur duhet ta nxjerr aktvendimin për fillimin e hetimeve.

Vet ky rast i zbuluar, flet mase mjaftueshëm për lënien e qëllimshme të hapësirave manipulative e abuzuese me ligjin në legjislacionin kosovar, e ku për pasojë dëmtohet qytetari, dëmtohet edhe biznesi i pa lidhur me mafio politikën, e mbi të gjitha njolloset edhe drejtësia e një shteti të tërë, për shkak të lidhjes dhe bashkëjetesës edhe “ligjore” me krimin e organizuar!

Kurse siç dihet mirëfilli, në rastet e tilla faturën e parashkrimit të lëndëve gjithmonë po e paguan qytetari i pambrojtur nga prokuroria e degraduar qe nuk zbaton ligjin! Dhe këto detaje të “rastësishme” që po zbulohen tani, flasin më tepër se mjaftueshëm, se kapja e sistemit të drejtësisë për dy dekadat e kaluara ka qenë një projekt i mirë menduar dhe i mirë dizajnuar si nga mafio-politika ashtu edhe nga krimi i organizuar, prandaj është detyrë e Ministrisë së Drejtësisë që të angazhohet 24 orë pa ndërprerë, për ta ndryshuar, reformuar dhe funksionalizuar atë, duke e shkëputur tërësisht nga skema e deritashme e kapjes së qëllimshme nga grupet e interesit të krimit të organizuar, dhe finalizuar reformën me përmbylljen e procesit Vetting!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".