AAK-ja kërkon rezolutë kundër shtrenjtimit të rrymës, Tahiri: Qeveria dhe qytetarët do të bankrotojnë

  • E.K /
  • 20 January 2022 - 10:56
AAK-ja kërkon rezolutë kundër shtrenjtimit të rrymës, Tahiri: Qeveria dhe qytetarët do të bankrotojnë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se situata e krijuar me propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të rrymës, rrezikon ta sjell Kosovën, Qeverinë dhe qytetarët në bankrot.

Tahiri ka kërkuar në seancën e sotme të Kuvendit të bashkohen për miratimin e një rezolute për t’i kërkuar ZRRE-së që ta ndryshojë propozimin për rritjen e çmimit të rrymës.

“Kuvendi i Kosovës po e nis sesionin pranveror me një situatë, me një krizë energjetike, e cila ka rrezik ta sjell vendin, Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës në bankrot total”, tha ai.

Sipas Tahirit, mbi një milion banorë të Kosovës duhet ta paguajnë çmimin e rrymës me shtrenjtim.

“Kategoria E dhe kategoria D që do të shpenzojë mbi 800 kWh janë 200 mijë familje, janë 1 milionë banorë të Kosovës. Këta do të paguajnë për të gjithë ata që shpenzojnë për 600 kilovatë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)