Kritikat dhe talljet me masat e reja, Ministria e Shëndetësisë do t’i rishikojë ato

  • E.K /
  • 24 January 2022 - 14:04
Kritikat dhe talljet me masat e reja, Ministria e Shëndetësisë do t’i rishikojë ato

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas kritikave rreth masave të reja anti-COVID, e më konkretisht vendimit për certifikatën e vaksinimit me tri doza, për të gjithë qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë. MSh-ja ka bërë të ditur se gjatë javës do të përcillet situata epidemiologjike, dhe varësisht nga numri i rasteve, masat do të mund të rishikohen.

Kështu është bërë e ditur përmes një statusi në Facebook nha MSH-ja.  

“Të gjitha masat e ndërmarra kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësor dhe Komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19, të cilat janë trajtuar në Komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me COVID-19, ku përfaqësohen institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës me COVID-19”, deklaron MSh.

Tutje MSh-ja thotë se qytetarët mund të hyjnë në Kosovë edhe me dy doza të vaksinës, por duhet ta kenë dëshminë e testit PCR negativ.

“Vendimi nuk kërkon domosdoshmerisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull qe është praktikuar edhe nga shtete te tjera”, thuhet reagimin e MSh-së.

Sipas MSh-së, me këtë vendim parashihet lehtësim për qytetarët që janë vaksinuar me tri doza të vaksinës anti-COVID.

“Vendimi parasheh lehtësim për ata me tri doza të vaksinës, për shkak të rrezikut dukshem më të ulët për t’u infektuar, derisa shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës”, deklaron MSh-ja.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se situata epidemiologjike do të monitorohet në baza ditore, dhe deri në fund të javës institucionet mund të kenë një pasqyrë më të qartë se cili ka qenë shkaku i rritjes së rasteve me COVID-19.

MSh-ja deklaron se pas kësaj, të gjitha masat mund të rishikohen.

“Mekanizmat kundër COVID-19 do të monitorojnë në baza ditore situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe deri në fundin e javës, institucionet tona do të mund të kenë një pasqyrë më gjithëpërfshirëse se cili ka qenë ndikimi i rritje së rasteve të COVID-19 në ngarkesën spitalore dhe në varësi të kësaj, si dhe të numrit të rasteve të reja gjatë ditëve në vijim, të gjitha masat do të mund të rishikohen”, thuhet në reagimin e MSh-së.

Ndryshe, vendimi i Qeverisë së Kosovës që të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës të kenë certifikatën e vaksinimit me tri doza, apo dy doza dhe një test PCR negatic, ka ngjallur reagime të shumta.

Qytetarët e rrethit të Kukësit sot kanë protestuar në afërsi të pikë kalimit kufitar në Morinë, për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i ka shkruar kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, që ta rishikojë vendimin për masa shtrënguese për të hyrë në Kosovë.

Në letrën dërguar Kurtit, ai ka shkruar se obligimi për vaksinë me dozën e tretë, apo edhe ata që janë vaksinuar me dozën e dytë dhe testi PCR po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve tanë

Edhe ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali, e ka telefonuar ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifin, për t’i kërkuar që ta heq masën për parandalimin e Covidit, me të cilën atyre që hyjnë nga jashtë në Kosovë, u kërkohen dëshmi se janë vaksinuar me tri doza të vaksinës kundër koronavirusit.

(Kosova Sot Online)