Kurti e përmend si një prej arsyeve të krizës energjetike, çfarë thotë “Bilfinger” për mosndërtimin e Kosovës A

  • E.K /
  • 26 January 2022 - 11:18
Kurti e përmend si një prej arsyeve të krizës energjetike, çfarë thotë “Bilfinger” për mosndërtimin e Kosovës A

Kompania gjermane “Bilfinger”, nuk ka dashur ta jap verisonin e saj se pse nuk u rindërtua Termocentrali Kosova A në kohën kur kryeministër i vendit ishte Isa Mustafa. Si arsye për krizë energjetike, kryeministri Kurti disa herë e ka përmendur ikjen e kësaj mundësie duke akuzuar LDK-në se nuk e kanë pranuar projektin gjerman për Kosovën A. Por, Isa Mustafa insiston se kjo kompani ishte e painteresuar ta rindërtonte Kosovën A në vitin 2015. Sipas tij e gjitha çka kishte ofruar “Bilfinger” ishin 15-20 faqe PowrPoint.

Një tjetër version për këtë ngjarje e ka dhënë ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch. Në një reagim të bërë ndaj Isa Mustafës, Bosch i ka quajtur të pavërteta deklaratat e tij.

Megjithatë kompania “Bilfinger” në një përgjigje dhënë Express ka refuzuar të sqarojë se pse nuk u rindërtua Kosova A. Kompania thotë se nuk mund të bëjnë ndonjë deklaratë për çështje kaq të vjetra.

“Faleminderit për pyetjet tuaja. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk mund të bëjmë ndonjë deklaratë për çështje të tilla kaq të vjetra. Për më tepër, është politikë e jona e përgjithshme, për arsye konfidencialiteti, që të mos zbulojmë perceptime biznesore të tilla si konfirmimi i ndonjë marrëdhënieje biznesi”, thuhet në përgjigjen e Bilfinger.

Gjatë ditës së djeshme, në një përgjigje për Gazetën Express, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur ish-ambasadorit holandez në Kosovë, Robert Bosch. Mustafa ka kërkuar nga Bosch që ta prezantojë dokumentacionin e Bilfingerit.

“S’dëshiroj të merrem me Ambasadorin Bosch, por dua të nënvizoj edhe njëherë se nga Bilfinger nuk na është ofruar asgjë më shumë sesa disa faqe të pamjeve të blloqeve të TE Kosova A në Poëer Point”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka kërkuar nga ish-ambasadori Bosch që ta prezantojë para opinionit dokumentacionin e “Bilfinger-it”.

Ai thotë se si Kryeministër nuk e ka parë asnjëherë këtë dokumentacion, pasi sipas tij, nuk i është prezantuar.

“Ndryshe, pasi Bosch po paraqitet si mbret i të vërtetës le të prezantojë para opinionit dokumentacionin E Bilfingerit me studim të fizibilitetit, me kosto dhe burime të investimit, me saktësim se a do të jenë pajisjet e reja apo të përdorura që do të montohen në Kosova A, me burime të financimit dhe normë të kthimit të investimit. Unë këtë dokumentacion si kryeministër nuk e kam parë kurrë, sepse nuk na është prezantuar”, ka deklaruar Mustafa për Express.

Reagimet mes Bosch dhe Mustafës nisën kur ky i fundit ditën hënë shkroi në Facebook se përfaqësuesit e Bilfinger janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”.

Pas kësaj iu kundërpërgjigj Bosch.

“Për fat të keq, e pavërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada gjermane dhe ambasada holandeze, bëmë gjithçka për ta bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një mundësi e humbur që energjia për relativisht pak para të sigurohej duke filluar nga periudha rreth viteve 2017/18”, ka shkruar Bosch.

Kryeministri i vendit Albin Kurti nuk e la pa e përmendur Bilfingerin kur njoftoi për rikthimin në punë të Bllokut B2.

Teksa tha se me rifunksionimin e Bllokut B2 për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, ai u shpreh: “Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!”.

(Kosova Sot Online)