ZRrE-së i shkon një propozim tjetër për çmimin e energjisë, kjo është rritja që parashikohet

  • E.K /
  • 27 January 2022 - 15:27
ZRrE-së i shkon një propozim tjetër për çmimin e energjisë, kjo është rritja që parashikohet

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur konferencë për medie, ku ka prezantuar komentet që INDEP i ka dërguar në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ekipi Hulumtues i INDEP, Dardan Abazi, Udhëheqës i Hulumtimit dhe Menaxher i Programit, si dhe Liron Gjocaj, Asistent Hulumtues në INDEP prezantuan analizën e propozimit të ZRRE-së, rekomandimin e INDEP me komentet për strukturën e re tarifore të energjisë elektrike dhe çmimet e reja që INDEP propozon për energji dërguar ZRRE-së.

Analiza e INDEP do të dërgohet si pjesë e komenteve në diskutimin publik të organizuar nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ajo është e ndarë në tre pjesë kryesore.

“Në pjesën e parë ne kemi trajtuar strukturën tarifore me blloqe ku kemi shpjeguar pozicionin konsistent të INDEP-it mbi nevojën për vendosjen e bllok tarifave. Në pjesën e dytë kemi trajtuar propozimin e ZRRE-së ndërsa në pjesën e fundit kemi paraqitur modelin e propozuar nga INDEP. Në fund kemi paraqitur rekomandimet kryesore për ZRRE-në bashkë me të dyja modelet të paraqitura në formë tabelare për të theksuar dallimet mes tyre”, ka thënë Abazi.

“INDEP duke pasur në rend të parë barazinë e secilit shfrytëzues të energjisë elektrike në Kosovë, duke ditur gjendjen e jashtëzakonshme me furnizim të energjisë dhe vështirësitë e shkaktuara nga pandemia COVID-19, propozon që çmimi i energjisë elektrike të rritet me një përqindje më të ulët se sa që ka propozuar ZRRE. Gjithashtu, INDEP përkrahë strukturën tarifore me blloqe, por propozon që kategorizimi të jetë në tre blloqe. Duke shtyrë përpara uljen e konsumit dhe rritjen e masave efiçiente”, ka thënë tutje ai, teksa ka propozuar masat si në vijim:

Tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 5.5% për të gjithë konsumatorët, përfshirë konsumatorët komercial.

Të rikthehet struktura tarifore me blloqe për konsumatorët e amvisërisë, ku ndarja do të bëhet në tre nivele të konsumit të energjisë elektrike, deri në 600 kWh në muaj, nga 600 deri në 1,200 kWh në muaj dhe mbi 1,200 kWh në muaj.

Për nivelin e konsumit deri në 600 kWh në muaj energji elektrike, të aplikohen tarifat prej 0.0712 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.0304 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 5.5% më të larta se tarifat aktuale.

Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 600 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.121 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.051 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 70% më të larta se tarifat e bllokut të parë.

Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 1,200 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.217 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.091 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 80% më të larta se tarifat e bllokut të dytë.

Abazi tha se çështja e veriut ndërlidhet ngushtë me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Ai e ka quajtur shqetësuese faktin që një pjesë e Kosovës paguan energjinë, e pjesa tjetër jo.

“Nuk mund të flitet se a mund të shtrenjtohet ose duhet shtrenjtohet për një pjesë të Kosovës e cila nuk paguan energji elektrike. Është diskutim qesharak, që të themi se a është rritur për dikë që nuk paguan, normal që nuk ka rritje fare të çmimit, konsiderojmë që është vërtetë shqetësuese që në një treg të rregulluar një pjesë e paguan një pjesë tjetër nuk paguajnë”, ka thënë Abazi.

“E shkel edhe parimin kushtetues të barazisë para ligjit i cili është parim themeltar i Kushtetutës sonë por që shpresojmë që me shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës do të zgjidhet edhe kjo çështje. Edhe premtimet si të tilla nuk do ta paguajnë këtë pjesë gjithashtu edhe më realitetin e tanishëm kanë tingëlluar si jo reale në zgjidhje. Konsideroj se me shtrirjen e institucioneve të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit duhet që sa më parë të sigurohet që të paguajnë barabartë të gjithë për energjinë që e shpenzohen”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)