I vriste dhe i digjte! Krimet e tmerrshme të “Gaxhait” , që u zbulua pas megaoperacionit

  • E.K /
  • 02 February 2022 - 11:21
I vriste dhe i digjte! Krimet e tmerrshme të “Gaxhait” , që u zbulua pas megaoperacionit

Mbi 20 vite vrasje, përgjakje, grabitje me armë e shumë vepra të tjera kriminale. Ky është “Gaxhai” i tmerrshëm i Vlorës, “bëmat” e të cilit e kanë zanafillën në vitin e errët 1997, me bandën e Zani Çaushit, dhe që vijojnë edhe në ditët e sotme. Bëhet fjalë për Gazmir Brakën, emri i të cilit doli sot, pas megaoperacionit të zhvilluar në Elbasan, prej ku rezultoi se ai bashkëpunonte nga qelia me biznesmenë, zyrtarë e policë burgjesh.

Ndaj “Gaxhait”, i cili ishte “koka” e një prej bandave të rrezikshme në Vlorë, rëndojnë disa burgime të përjetshëm për vrasje e masakra të përgjakshme. “Gaxhai” ka dy dënime me burgim të përjetshëm, i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arbën Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës; ndërsa dënimi i dytë i është dhënë për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zini Haruni, Robert Myftari dhe policit Viron Rrapaj. Ai është një emër shumë i njohur për drejtësinë, pasi vrasjet dhe përplasjet me grupin e Zani Çaushit kanë nisur që në vitin 1997.

Në atë kohë, ai krijoi bandën e tij të armatosur, në fshatin Cerkovinë dhe zonat përreth, ku edhe kryenin aktivitetin e tyre kriminal. Ai kishte një bandë të mirëorganizuar dhe që ecte gjithmonë e armatosur, të cilën e quajti “Banda e Gaxhait”, pra në emrin e tij. Banda e tij u bë më e konsoliduar pas konfliktit që nisi me bandën e Zani Çaushit. Kështu, në atë kohë “Banda e Gaxhait” shkoi e organizuar në Komisariatin e Policisë Vlorë, për të marrë blindat dhe për t’u mbrojtur nga banda rivale, duke treguar qëndrueshmëri, organizim dhe mjaft rrezikshmëri për rendin kushtetues në veprimet e tyre kriminale. Krimet më të përgjakshme janë kryer në funksion të konfliktit që kjo bandë kishte më bandën rivale të Zanit, ku krijuesi dhe personi që organizonte gjithçka ishte pikërisht Gazmir Brakaj “Gaxhai”.

Vrasjet e bandës së “Gaxhait”, që tronditën vendin më 1997-ën:

Vrasja e Sadik Kurtit
Më 24 prill 1997 është vrarë shtetasi Sadik Kurti. Nga provat e paraqitura rezulton se në datë 24.04.1997, rreth orës 21:40, disa persona të armatosur kanë shkuar në banesën e viktimës, ku kanë kërkuar të takohen me Mond Fshatarin (Edmond Leska). Pasi nuk e kanë gjetur në banesë, ata kanë marrë me forcë viktimën Sadikun dhe vajzën e tij M.Kurtin, e cila ka qenë më parë e martuar me të pandehurin Edmond Leska. Pasi kanë shkuar në afërsi të pallatit ku banonte Edmondi, personat e armatosur e kanë lënë të lirë vajzën dhe ajo rrugës duke shkuar për në banesën e saj ka dëgjuar të shtëna armësh. Më pas ajo së bashku me D. Leskën kanë dalë për të kërkuar Sadikun, të cilin e kanë gjetur të vrarë me dy plagë arme zjarri te cepi i pallatit pranë banesës së tij.

Vrasja e Avdyl Bajramit

Më 9 maj 1997 banda e Gaxhait ka rrëmbyer Bejo Bajramin, vëllain e Avdyl Bajramit, që njihej si përkrahës i bandës rivale të Zanit. Rrëmbimi është bërë për hakmarrje ndaj vrasjes së Bernard Duckës. Në fillim në spitalin civil të Vlorës është marrë peng vëllai tjetër i Avdylit, Mithati i cili është mbajtur peng deri në orën 01 të dt 10.05.1997. Më pas është lënë i lirë ai dhe është marrë peng Bejo Bajrami. Avdyl Bajrami pasi ka mësuar për marrjen peng të vëllait ka shkuar te rrethi i skelës Vlorë, për të liruar vëllain e tij. Gaxhai me bashkëpunëtorët e tij morën peng Avdylin në datë 10.05.1997 dhe e çuan te vendi i quajtur Kaminat e gëlqeres në Fshatin Kaninë, rreth 2 km larg qytetit të Vlorës. Aty Avdyl Bajrami është vrarë dhe djegur, pasi i kishin lidhur duar e këmbë me tela.

Vrasja e Viron Rrapajt
Më 11 maj 1997 të pandehurit në mënyrë të organizuar kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Vlorë, për të marrë një mjet të blinduar dhe para se të largoheshin kanë vrarë oficerin e Policisë shtetasin Viron Rrapaj. Lidhur me këtë ngjarje, gjatë këtij hetimi gjyqësor arritëm të provojmë se: Policia kishte të dhëna se bandat që vepronin në qytet do të sulmonin Komisariatin, për të marrë prej aty mjetet e blinduara. Në fillim rreth orës 11:00 të datës 11.05.1997, në Komisariat kanë shkuar tre-katër persona të armatosur dhe kanë hyrë në fillim tek oficeri i rojës. Aty njëri prej tyre është prezantuar si “Gaxhai” dhe ka kërkuar që të merrte kontakt me drejtuesit e policisë dhe ka kërkuar të merrte blindat për t’u mbrojtur nga Zani. Pas disa minutash, para Komisariatit të Policisë erdhën mjaft makina dhe prej tyre zbritën rreth 30-40 persona të armatosur, të cilët u futën në oborrin e Komisariatit. Pjesëtarët e organizatës kriminale kontaktuan me Oficerin e Policisë Haxhi Demiri, i cili u shpjegoi se nuk mund të merrnin mjetet e policisë. Pasi u sqaruan, personat e armatosur u tërhoqën nga Komisariati. Duke dalë nga oborri i Komisariatit, Alfred Nebiu (Kakami), ka parë policin Viron Rrapaj në derën e brendshme të Komisariatit dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e vrarë.

Vrasja e Dhimitraq Mishkës
Më 13 qershor 1997 në fshatin Armen, Vlorë, Robert Boraku i ka dalë përpara automjetit ku po udhëtonin Ligor Koreta, Dhame Koreta, Dhimitraq Mishka, Panajot Qirjo dhe Tako Mishka të cilët janë plagosur. Ai ka hapur zjarr duke tentuar të vriste këta persona. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur dhe vetë Robert Boraku. Lidhur me këtë konflikt pas disa ditësh në datë 19.06.1997 Robert e Niko Boraku të dy të vrarë, së bashku me të pandehurin Gazmend Brakaj kanë vrarë dhe më pas djegur shtetasin Dhimitraq Mishka, kufoma e të cilit u gjend në vendin e quajtur Shamogjin.

Vrasja e Zini Harunit
Më 19 qershor 1997 në vendin e quajtur Shamogjin, pranë një karburanti, anëtarët e bandës kanë rrëmbyer dy shtetasit Zini Haruni dhe Ardian Tase, të cilët ishin duke udhëtuar nga Fieri për në Vlorë. Ata i kanë marrë të dy me një fugon të bardhë dhe pasi kanë lëshuar Ardianin kanë marrë Ziniun e kanë çuar në Cerkovinë dhe më pas e kanë vrarë në datë 20.06.1997 te punishtja e mermerit pranë këtij fshati. Përpara kësaj gjykate, në lidhje me këtë ngjarje ka dëshmuar shtetasi Ardian Tase, i cili ka qenë i pranishëm kur kanë marrë viktimën anëtarët e bandës së Gaxhait.

Vrasja e Robert Myftarit
Më 8 gusht 1997 në vendin e quajtur Skelë pranë lokalit “Miami” Vlorë, i pandehuri Sokol Sinomati, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Robert Myftari, i cili ishte duke udhëtuar me makinë me gruan e tij Amarilda Halili. Rreth orës 20:30, makinën me të cilën po udhëtonin viktima dhe bashkëshortja e tij, e ndaluan disa persona. Pasi e ndaluan, ajo, pra Amarilda dëgjoi që njëri prej personave të armatosur po thoshte që qenka Berti i Shaveres, ata të Çoles lagje në Vlorë ku kishte qendrën Banda e Zanit. Në spital burri para se të vdiste i kishte thënë “personit që qëlloi se ishte Sokol Buzderri i Bandës së Gaxhait.

(Kosova Sot Online)