Një djalë 5 vjeç tri ditë i ngujuar në bunarin 32-metërsh, vazhdon kërkimi

  • E.K /
  • 04 February 2022 - 08:36
Një djalë 5 vjeç tri ditë i ngujuar në bunarin 32-metërsh, vazhdon kërkimi

Punëtorët e shpëtimit në veri të Marokut kanë hyrë në ditën e tretë të largimit të dheut për të gjetur një djalë 5 vjeç, i cili është ngujuar në një bunar të thellë 32 metra.

Djali ka mbetur i ngujuar në një bunar në fshatin verior, Ighran, të provincës Chefchaouen, nga e marta në mbrëmje. Punëtorët e shpëtimit thanë të enjten se kanë arritur që t’i dërgojnë oksigjen dhe ujë dhe se kanë marrë një përgjigje prej tij.

“I lutem dhe i përgjërohem Zotit që ai të dalë nga ai bunar i gjallë dhe i sigurt. Të lutem, Zot, lehtësoji dhimbjen time dhe dhimbjen e tij, në atë vrimë pluhuri”, tha nëna e djalit për televizionin 2M.

Babai i fëmijës, Khalid Agoram, i tha një transmetuesi tjetër lokal se e kishte kërkuar djalin disa orë të martën para se të zbulonte se fëmija kishte rënë në bunar, shkruan The Guardian.

Punëtorët e shpëtimit përdorën një litar për të dërguar një gyp oksigjeni dhe ujë te djali i vogël, por nuk arritën që të depërtojnë deri te vrima ku është ngujuar fëmija. Sipas agjencisë marokene të lajmeve, MAP, ata gjithashtu dërguan një kamerë për ta vëzhguar djalin.

Po përdoren edhe pesë buldozerë për të hapur një vrimë paralele me bunarin në përpjekje për të arritur te fëmija, i identifikuar me emrin Rayan. Zyrtarët lokalë thanë se punëtorët e shpëtimit deri tani kanë arritur në thellësinë prej 19 metrash.

(Kosova Sot Online)