Vetëvendosje mundohet të përfitojë pak, pas skandalit të shpenzimeve të deputetëve

  • E.K /
  • 04 February 2022 - 10:41
Vetëvendosje mundohet të përfitojë pak, pas skandalit të shpenzimeve të deputetëve

Shefja e Grupit Paralementar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se deputetët e kësaj partie do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit. Një vendim i tillë vjen një ditë pas publikimit të listës me emrat e deputetëve, që kanë shpenzuar qindra euro të shtetit për karburante, që ngjalli reagime të shumta.

Kusari-Lila ka thënë se do të kërkojnë rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve nga Kryesia e Kuvendit.

“Aktualisht në legjislaturën e VIII të Kuvendit, janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njejtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ndryshe, të enjten është publikuar lista e dhjetra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.

Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 Euro, e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 Euro.

Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtëra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka marrë 290 euro kompensim për dy mauj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.

Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendasja e saj, deputetja  Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro, e Gazmend Gjyshinca ka marrë 140 euro.

Ish-drejtori i Policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.

Nga shpenzimet e publikuara nga Kanal 10 shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.

Më poshtë gjeni shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe.

(Kosova Sot Online)