Katër raste të dhunës në familje brenda një dite

  • E.K /
  • 04 February 2022 - 10:46
Katër raste të dhunës në familje brenda një dite

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë.

Në një rast në Pejë është arrestuar një person për shkak se dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij. Të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor.

“Pejë 03.02.2022 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor. Bazuar në gjendjen shëndetësore i dyshuari dërgohet në tretman mjekësorë-psikiatrik dhe i njëjti është në mbikëqyrje të policisë”, thuhet në njoftim.

Edhe në Gjilan është arrestuar një person për dhunë fizike ndaj gruas së tij. Edhe ky me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Gjilan 02.02.2022 – 07:00. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia.

Ndërkaq në Mitrovicë është arrestuar një person pasi i ka ndaluar shkollimin vajzës së tij.

“Mitrovicë 03.02.2022 – 10:00. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti edhe kishte ndaluar nga vijimi i shkollimit vajzën e tij. Ankuesja është dërguar në strehimore, ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

E në Leposaviq një grua e ka lajmëruar në polici bashkëjetuesin e saj për dhunë psikike. Rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

“Leposaviq 03.02.2022 – 22:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar  me të cilin ka bashkëjetuar ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. 

(Kosova Sot Online)