Rrahu gruan dhe e kërcënoi me armë zjarri, arrestohet 35-vjeçari

  • E.K /
  • 05 February 2022 - 17:49
Rrahu gruan dhe e kërcënoi me armë zjarri, arrestohet 35-vjeçari

Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti familjar në Shkodër. Një 35 vjeçar  i cili ka rrahur dhe ka kërcënuar gruan e tij është arrestuar nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Skënderbeg”.

“Kanosi me armë gjahu bashkëshorten dhe ushtroi dhunë fizike ndaj saj, vihet në pranga 35-vjeçari. Nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 35 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër”, thotë policia.

Denoncimin e ka bërë vetë gruaja e cila ka marrë policinë në telefon.

“Arrestimi i tij u bë pasi shtetasja B. K., 32 vjeçe, ka telefonuar në sallën e komandimit të DVP Shkodër, se bashkëshorti i saj po ushtronte dhunë fizike ndaj saj dhe e kishte kanosur me armë gjahu. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vlerësuar situatën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti dhe duke arrestuar në flagrancë bashkëshortin e shtetases B. K”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut çifte me fishekë në fole, me të cilën 35-vjeçari kishte kanosur bashkëshorten, si dhe një sasi fishekësh arme gjahu.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja“ dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

(Kosova Sot Online)