Më ligj të ri kundër financimit të partive politike nga paraja e pistë, mafies, krimit të organizuar dhe haraçit!

Më ligj të ri kundër financimit të partive politike nga paraja e pistë, mafies, krimit të organizuar dhe haraçit!

Gani Qarri

  • 05 February 2022 - 09:07

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Me ligjin më të ri që është në procedurë parlamentare, tanimë është në dorën e Qeverisë Kurti dhe shumicës përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës që njëherë e përgjithmonë të sigurohet transparencë e plotë dhe llogaridhënie, për financimin e partive politike, duke e shkëputur njëherë e mirë financimin e tyre nga paraja e pistë e krimit të organizuar, haraçit dhe lidhjeve të politikës me bizneset e oligarkëve të inkriminuar dhe organizatave të dyshimta ndërkombëtare që financojnë partitë simotra nga fondet e tyre konspirative me interesa të grupeve dhe rrjeteve kriminale për ti mbajtur ato sa më gjatë në pushtet.

Duke qenë se në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për financimin e subjekteve politike, dhe i njëjti është dërguar me procedurë të shpejtë dhe vendosur me prioritet për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, financat e partive politike, nga tash, nuk mund të jenë më dosje të errëta por do të bëhen publike e transparente për institucionet e shtetit dhe qytetarët e Kosovës, si dhe do të jenë objekt vlerësimi nga ana e auditorëve Professional. Kurse vendimi për inicimin e ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji është marrë pas përfshirjes së kësaj çështje në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së, pasi që në kuadër të këtij plani parashihet që të gjitha institucionet përkatëse kompetente, decidivisht të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në Kosovë të cilat për më tepër se 20 vite kanë vepruar pa transparencë dhe llogaridhënie publike mbi mënyrat e financimit të tyre, prej nga i kanë siguruar ato, përveç parave që kanë marrë nga buxheti i shtetit.

Madje serioziteti i çështjes, për pastrimin e financimit të partive nga burimet e parasë së krimit, ka shkuar aq larg sa që Qeveria Kurti e ka dërguar ligjin për analizë dhe ekspertizë profesionale edhe në Komisionin e Venedikut për të marrë rekomandimet e tyre, komisioni i cili me anë të opinionit të lëshuar ka pranuar rekomandimet për dispozitat përkatëse ligjore dhe pas pranimit të këtyre rekomandimeve, është bërë edhe inkorporomi i tyre në versionin përfundimtar të projektligjit për financimin e partive politike në Kosovë.

Andaj me qëllim që të gjitha palët e interesuara të njihen me rekomandimet e komisionit të Venedikut dhe inkorporimin e këtyre rekomandimeve në draftin e Projektligjit, është organizuar sërish një raund i ri i konsultimeve paraprake e publike, dhe pas konsultimeve të gjitha rekomandimet e pranuara nga aktorët relevant, janë shqyrtuar dhe inkorporuar në draftin final të Projektligjit i cili tanimë është në dorën dhe vullnetin e deputeteve të Kuvendit për ta miratuar, kurse partitë politike, nga tash e tutje, detyrohen për ta zbatuar transparencën e financimit të tyre, pavarësisht çmimit të transparencës së cilës duhet ti nënshtrohen dhe shkëputjes së lidhjeve me krimin e organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".