Bledar Dervishaj zbulon si Kuvendi “manipuloi” datën: Ndërhyrje për të rrëzuar presidentin

  • E.K /
  • 07 February 2022 - 12:35
Bledar Dervishaj zbulon si Kuvendi “manipuloi” datën: Ndërhyrje për të rrëzuar presidentin

Këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj në një deklaratë të bërë nga presidenca, dha pretendimet në lidhje me seancën që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Dervishajt, në një provë që është depozituar të premten në Kushtetuese, ka një manipulim të datës se kur është ngritur komisioni hetimor për shkarkimin e Metës.

Sipas Dervishajt, shtyrja me një ditë më herët e ngritjes së Komisionit Hetimor, është bërë për të rrëzuar pretendimet e presidentit Meta, i cili ka deklaruar dhe më herët që janë shkelur afatet.

Kushtetuta e parashikon qartë se nuk mund të ngrihen komisione hetimore parlamentare, 4 muaj përpara skadimit të mandateve të deputetëve në Kuvend.

“Në seancën e orës 10 ne i kemi kërkuar GJK vërtetësinë e një prove, që është dorëzuar në datën 4 Shkurt, pra ditën e premte, ku përfshihet dhe urdhëri i kyetarit të Kuvendit, për ngritjen e Komisionit Hetimor. Nga shqyrtimi i këtyre provave, na rezulton një manipulim prove, në depozitim. Pse e themi këtë?

Lidhur me këtë ndërhyrje, urdhëri që Kuvendi depozitoi si provë në Kushtetuese, mban datën 5.5.2021, ndërkohë që sipas urdhërit të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, urdhëri mban datën 6/5. Kjo është ndërhyrja e parë, pse bëhet kjo ndërhyrje? Provat e reja sillen për të rrëzuar pretendimet e presidentit.

Kjo nuk është e vetmja ndërhyrje, është ndryshuar dhe rendi i ditës, dhe data e tij. Ka ndryshime mes urdhërit të publikuar në faqe, dhe atij që është paraqitur në mënyrë shkresore. Rendi i ditës i depozituar bashkë me urdhërin e kryetarit, ka përplasje me vetë urdhërin e kryetarit, Gjykata duhet të çmojë vërtetësinë e kësaj prove. Qoftë në formën që e solli Kuvendi, qoftë në publikimin që është bërë në faqe, vërtetojnë pretendimet e presidentit.

Komisioni nuk mund të funksiononte, tashmë do të jemi në seancë gjyqësore, ku do të lexojmë konkluzionet përfundimtare”, tha Dervishaj.

(Kosova Sot Online)