Debati për Xhafer Devën, çfarë kishin bërë austriakët me shtëpinë e Hitlerit?

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 10:21
Debati për Xhafer Devën, çfarë kishin bërë austriakët me shtëpinë e Hitlerit?

Ditëve të fundit në Kosovë është hapur një debat për shtëpinë e politikanit nga Mitrovica, Xhafer Deva, kur Ministria e Kulturës e Kosovës e ka marrë përsipër restaurimin e shtëpinë e personalitetit që dikur kishte shërbyer si ministër i Punëve të Brendshme në Shqipëri. Amabasadori i Gjermanisë në Kosovë ka thënë se Deva kishte bashkëpunuar me nazistët. Por çfarë kishin bërë austriakët me shtëpinë e Hitlerit në Austri?

Në qershor të vitit 2020, Austria i publikoi planet për “neutralizimin” e ndërtesës ku ishte lindur diktatori famëkeq nazist, Adolf Hitler, dhe për ta shndërruar atë në stacion policor, sipas raportimit të BBC-së në atë kohë.

Qeveria austriake më 2020 e bleu ndërtesën sipas një urdhri të detyrueshëm për blerje, dokument i vitit 2016, pas një mosmarrëveshjeje të gjatë. Zyrtarët kishin njoftuar se shtëpia do të shndërrohej në stacion policor në nëntor të atij viti, shkruan BBC.

Kompania fituese kishte dorëzuar një plan me të cilin ndërtesës do t’i ndërrohet fasada dhe do t’i vendoset një kulm i ri. Puna pritet të përfundojë në vitin 2023 dhe do të kushtojë rreth 5 milionë euro.

Vetë Hitleri kishte kaluar pak kohë në këtë pronë. Ai ishte lindur në një banesë brenda ndërtesës së shekullit XVII më 1899, por familja e tij ishte larguar disa javë më vonë për t’u vendosur në një hapësirë tjetër në atë zonë, ndërsa ishte larguar në mënyrë të përhershme, kur Hitleri kishte mbushur tre vjet.

Kjo ndërtesë është vizituar nga neonazistët dhe autoritetet austriake duan që të sigurohen që objekti të mos tërheqë të tjerë në të ardhmen.

Austria ishte aneksuar nga Gjermania naziste më 1938 dhe me dekada e ka paraqitur veten si një ndër viktimat e para të regjimit.

(Kosova Sot Online)