Gruaja e preu në qafë me thikë të kuzhinës burrin e saj në Ferizaj, zbulohen detaje të reja

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 11:14
Gruaja e preu në qafë me thikë të kuzhinës burrin e saj në Ferizaj, zbulohen detaje të reja

Dje në rrugën “Besim Ndrecaj’’ në Ferizaj, 29-vjeçarja me inicialet Q.B., dyshohet se ka plagosur me thikë bashkëshortin e saj B.K., 32 vjeçar. Për rastin në fjalë ka folur  Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari. Ai tha se gruaja dyshohet se ka probleme mendore dhe ndaj saj do të bëhet kërkesa për caktimin e paraburgimit në Institutin e Forenzikës Psikiatrike.

Teksa foli për rastin, kryeprokurori Shukri Jashari, tha se në këtë rast dyshohet se është përdorur thika e kuzhinës, ndërsa burri ka pësuar lëndime në pjesën e qafës.

“Dyshohet se e dyshuara ka çrregullime mendore, por e njëjta është ndaluar me vendim të prokurorit dhe pritet të bëhet kërkesa për caktimin e paraburgimit. Kërkesa do të bëhet për caktim të paraburgimit në në Institutin e Forenzikës Psikiatrike për shkak të gjendjes mendore të saj. E njëjta dyshohet se ka përdorur thikën e kuzhinës. Burri ka pësuar lëndime të lehta trupore në pjesën e qafës”, tha Jashari.

Jashari shtoi se motivet mbi ngjarjen nuk dihen akoma pasi të dyshuarës nuk i kujtohet sesi ka ndodhur ngjarja.

Policia ka njoftuar dje se burri i lënduar B.K, pasi kishte pranuar ndihmën e parë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa dyshuara është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj .

“Pasi është intervistuar nga hetuesit rajonal,  në prezencë të avokatit mbrojtës me detyrë zyrtare, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt është iniciuar rasti ‘’Vrasje e mbetur në tentative’’, ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje 48 orë, për procedura te mëtejme hetimore”, ka njoftuar policia.

(Kosova Sot Online)