Çfarë thotë Kuvendi për përplasjen e djeshme të Arben Gashit me Ilir Kërçelin

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 12:15
Çfarë thotë Kuvendi për përplasjen e djeshme të Arben Gashit me Ilir Kërçelin

Mbledhja e djeshme e Kryesisë së Kuvendit është ndërprerë për shkak të një përplasjeje mes shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe Ilir Kërçelit, shefit të kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Gashi tha pas mbledhjes se kishte kërkuar që Kërçeli të përjashtohej nga mbledhja, pasi tha se ai kishte bërë shkelje të detyrave të tij. Një ditë më herët, Kërçeli, duke mos ia përmendur emrin, kishte shkruar se shefi i deputetëve të LDK-së kishte marrë 10 mijë euro para të shtetit për dy vjet, si kompensim për shpenzimet e udhëtimit.

Në web-faqen e Kuvendit të Kosovës thuhet se situata e krijuar kishte për shkak “një varg fyerjesh dhe ofendimesh” të Arben Gashin kundrejt Ilir Kërçelit.

“Nuk është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë të mbahej dje në orën 11:00, së bashku me kryetarë të grupeve parlamentare. Pas situatës së krijuar, si pasojë e një adresimi verbal me një varg fyerjesh dhe ofendimesh nga ana e kryetarit të GP të LDK-së, Arben Gashi, kundrejt shefit të Kabinetitit, Ilir Kërçeli, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri të ditur se nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj mbledhjeje”, thuhet në njoftimin e organit ligjvënës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në një konferencë për media pas mbledhjes së dështuar ka thënë se ndaj Kërçelit ka pasur tentim për ta sulmuar fizikisht.

“Po pati mësymje, pati edhe sharje.. me familje, shprehje të cilat s’mund t’i përmend”, ka thënë Konjufca.

Këtë e ka mohuar Arben Gashi, i cili doli para mediave pas kryeparlamentarit.

Gashi tha se “as nuk e kam prekur me dorë”, Ilir Kërçelin.

“Kryetari i Kuvendit e kishte marrë me vete edhe shefin e kabinetit i cili kishte bërë shkelje të detyrave… Ne kërkuam që ai të mos ishte prezent. Kryetari nuk pranoi që ai të largohet dhe mbledhja dështoi”, ka thënë Gashi, duke theksuar se ka mbajtur distancë me shefin e kabinetit të Konjufcës.

Kërçeli thotë se ka qëndruar i heshtur.

“Prej meje s’ka pasur përpalje, unë vetëm kam hesht. Më është veruslë dhe më ka sha”, ka thënë Kërçeli për Klan Kosova.

Kërçeli ka shkruar të dielën në Facebook se një deputet i LDK-së për dy vjet ka shpenzuar 10,440 euro para të shtetit për derivate, duke aluduar në Gashin.

Gashi më pas ka reaguar duke thënë atë kohë s’e kishte ditur se me para të shtetit po i mbuloheshin shpenzimet e udhëtimit dhe se kishte hequr dorë nga kjo pagesë që para 10 vitesh.

(Kosova Sot Online)