Vendimi për tarifat, Tahiri kërkon shkarkimin e Bordit të ZRrE-së

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 12:33
Vendimi për tarifat, Tahiri kërkon shkarkimin e Bordit të ZRrE-së

Deputeti i Partisë Demokratike  të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mbajë një debat dhe të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë ndryshimin e vendimit për vendosjen e bllok tarifës prej 800 kilovat.

Ai tha se me këtë vendim ZRRE ka krijuar një realitet të hidhur.

“Sot ZRRE ka marrë një vendim me të cilin e ka krijuar një vendim me të cilin e ka krijuar një realitet të ri në vendin tonë, një realitet të hidhur dhe një realitet të cilin nuk mundet në asnjë rrethanë që ta përballojë paga e një qytetari të vendit tonë.  Kërkojë nga shefat e Grupeve Parlamentare që ta vendosim këtë debat në rend dite këtë çështje dhe ta miratojnë një rezolutë që i bën thirrje ZRRE-së ta anulojë këtë vendim”, tha ai.

Më tutje Tahiri ka kërkuar edhe shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.

“Në fund të këtij debati do të vendosim në votim edhe shkarkimin e Bordit të ZRRE-së. Mendoj që këta njerëz nuk duhet që të qëndrojnë në këto pozita përderisa e kanë sjellë një gjendje të tillë për qytyetarët e tanë”, ka thënë ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar sot vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë. ZRrE ndryshoi vendimin pasi me rekomandimin paraprak ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat.  Propozimi ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave dhe është miratuar në mënyrë unanime. 

(Kosova Sot Online)