Konjufca dhe Tahiri debatojnë për vendimin e ZRrE-së për tarifat e energjisë

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 12:55
Konjufca dhe Tahiri debatojnë për vendimin e ZRrE-së për tarifat e energjisë

Vendimi i  Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë, ka shkaktuar reagimin e opozitës në vend. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri nga Kuvendi i Kosovës ka kërkuar sot shkarkimin e Bordit të ZRrE-së.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka kërkuar që të mbahet një debat parlamentar lidhur me vendimin e ZRrE-së dhe të vendoset për shkarkimin e Bordit.

“Në fund të këtij debati do të vendosim në votim edhe shkarkimin e Bordit të ZRRE-së. Mendoj që këta njerëz nuk duhet që të qëndrojnë në këto pozita përderisa e kanë sjellë një gjendje të tillë për qytetarët e tanë”, ka thënë ai.

Ndaj kësaj deklarate të Tahirit ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai tha se vendimi i ZRrE-së nuk mund të ndryshohet nga asnjë instancë tjetër përveç nëse rasti shkon ën gjykatë.

“Ju ndoshta e keni parasysh z.Tahiri që për me e marr mandatin e ZRrE-së duhet që ta ndryshoni Ligjin fillimisht. Nuk mundeni me vendime arbitrare të Kuvendit që të bëhen këto gjëra. Republika funksionin me Ligj siç e din. Ligji për ZRrE-n e ka një problem sa i përket kësaj që po thoni ju. Ai thotë që vendimet e Bordit nuk i nënshtrohen asnjë rishikimi ose vetoje nga organet e tjera publike, pos mund të shkojnë në gjykatë. Në gjykatë munden me përfundu, tjetër instancë jo . Kështu që ta keni kujdes se si e formuloni çështjen. Është shumë me rendësi se si e formuloni çështjen, pra me rëndësi është shumë se si formulohet çështja për të cilën ju po e adresoni këtë problematikë”, tha Konjufca.

Ndërkaq, Tahiri iu kundërpërgjigj duke thënë se mendojnë inicimin e një rezolute përmes së cilës synojnë që të fillojnë procedurat për shkarkimin e Bordit të ZRrE-së.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për procedurat që ndjeken. Ne jemi të vetëdijshëm që me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës nuk mund të shkarkohet Bordi i ZRrE-së, por besojmë  si procedurë mund të fillojë dhe mendoj që një debat i tillë për vendimin e ZRrE-së është shumë i rëndësishëm sepse prek direkt çdo qytetarë në çdo cep të vendit tonë. Me këtë rezolutë besoj që do të fillojmë dhe do të iniciojmë edhe shkarkimin e Bordit të ZRrE-së”, tha Tahiri. 

(Kosova Sot Online)