Inspektorati konfirmon suspendimin e Komandantit të Policisë në Veri, tregon edhe arsyen

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 13:12
Inspektorati konfirmon suspendimin e Komandantit të Policisë në Veri, tregon edhe arsyen

Komandanti i Njësisë për Reagim të Shpejtë në kuadër të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të veriut, Uglesha Jarediq, është suspenduar nga puna.

Në një përgjigje me shkrim Inspektorati Policor i Kosovës ka deklaruar se i ka rekomanduar policisë ta suspendojë Jarediqin për shkak të veprës penale “Dhunë në familje.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin për zyrtarin policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “Dhunë në familje””, ka deklaruar IPK.

Tutje IPK bën me dije se informatën për rastin e ka marrë dje, derisa shton se janë duke u ndërmarrë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin.

“IPK ka pranuar dje informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Mitrovicën e Veriut dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje dhe pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke ndërmarrë disa veprime hetimore. Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

(Kosova Sot Online)