Zyrtare: Këta janë gjashtë emrat që synojnë ta pasojnë Aleksandër Lumezin

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 15:09
Zyrtare: Këta janë gjashtë emrat që synojnë ta pasojnë Aleksandër Lumezin

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), bën të ditur se të gjithë kandidatët, në total gjashtë, të cilët kanë aplikuar i kanë plotësuar kriteret dhe konsiderohen formalisht si kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë kjo që aktualisht e mban Aleksandër Lumezi.

Siç njofton KPK, procesi i shikimit të materialeve të këtyre gjashtë kandidatëve është zhvilluar në prani fizike dhe përmes platformës Zoom të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, Zyrës së BE-së, EULEX-it, Grupit për Studime Juridike dhe Politike, i cili është implementues i Projektit “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol, Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Pas shikimit të materialeve të dorëzuara nga ana e kandidatëve, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, ka konfirmuar se të gjithë kandidatët që kanë aplikuar i kanë plotësuar kriteret dhe konsiderohen formalisht si kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe që kanë plotësuar kriteret janë:

1.  Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit;

2.  Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;

3. Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;

4.  Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;

5.  Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe

6. Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Kjo listë me emrat e kandidatëve do të dërgohet te Këshilli Prokurorial i Kosovës për konfirmim final.

Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës do të njoftojë me kohë për procedurat e tjera të procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftimin e tyre. 

(Kosova Sot Online)