Koreja Veriore: Vetëm ne mund ta dridhim botën me një raketë

  • E.K /
  • 09 February 2022 - 10:57
Koreja Veriore: Vetëm ne mund ta dridhim botën me një raketë

Koreja Veriore pretendoi të martën se vargu i testimit të raketave nga fillimi i këtij viti paraqet “arritje të konsiderueshme”, që e forcon mbrojtjen e vendit në rast lufte.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Koresë Veriore, me gjuhë të mburrjes, thuhet se ky vend është një ndër shtetet e pakta në botë që ka armë bërthamore dhe raketa të avancuara, shkruan Independent.

Në deklaratë gjithashtu pretendohet se Koreja Veriore është i vetmi shtet që po u bën ballë Shteteve të Bashkuara duke e “dridhur botën” me testime të raketave.

“Në botën e sotme, ku shumë shtete humbin kohë duke u marrë me Shtetet e Bashkuara me gjunjëzim dhe bindje të verbër, është vetëm vendi ynë në këtë planet që mund ta dridhë botën duke hedhur një raketë që pjesën kryesore të ShBA-së e ka brenda rrezes”, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme.

“Janë mbi 200 shtete në botë, por vetëm pak prej tyre kanë bomba me hidrogjen, raketa balistike ndërkontinentale dhe raketa hipersonike”, shtoi ai.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Koresë Veriore që t’i zvogëlojë fondet për programet e raketave balistike dhe për programin bërthamor. Pas deklaratës së ministrisë koreane, Departamenti i Shtetit tha se Amerika nuk ka vullnet të keq ndaj Pjongiangut dhe i kërkoi Koresë Veriore që të fillojë një dialog.

Departamenti i Shtetit gjithashtu tha se Koreja Veriore është kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe për përpjekjet globale kundër pasurimit (të armëve bërthamore).

(Kosova Sot Online)