Foto/ E ndërtoi vetë, brenda burgut ku do të vuajë dënimin Saimir Tahiri

  • E.K /
  • 09 February 2022 - 14:43
Foto/ E ndërtoi vetë, brenda burgut ku do të vuajë dënimin Saimir Tahiri

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do ta vuajë dënimin e tij prej 3.4 vitesh burg në Fier. Vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi që ta dërgojë Tahirin atje pas intervistës së sigurisë, ku ai tha se nuk kishte ndonjë preferencë.

Ky institucion i vuajtjes së dënimit është i sigurisë së zakonshme dhe është ndërtuar përgjatë periudhës kur vetë Tahiri ishte në krye të Ministrisë së Brendshme.

Punimet për burgun në fjalë nisën në vitin 2011 dhe përfunduan në fund të vitit 2014 duke kushtuar 16 milion euro në total, ku pjesa më e madhe, 14.3 milion euro janë kosto e ndërtimit.

Burgu ka kapacitet për 600 të dënuar dhe 180 të paraburgosur. Gjatë vuatjes së dënimit, ish-ministri do të ketë 4 vizita në muaj përgjatë orëve 08:30-15:00.

Tahiri u dënua nga GJKKO me 5 vite burg, por për shkak se pranoi gjykimin e shkurtuar, përfitoi ulje të dënimit.

Ish-ministri u gjet fajtor për vetëm një akuzë, atë të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa SPAK-u sipas GJKKO-së nuk arriti të provojë akuzat e tjera në emër të tij, të cilat u rrëzuan.

Fill pas vendimit, avokati i Tahirit, Maks Haxhia tha se do të bënin rekurs në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, për të bërë këtë, duhet që fillimisht GJKKO të zbardhë vendimin e arsyetuar për dënimin e Tahirit.

(Kosova Sot Online)