Bëhen homazhe te varri i Mon Balajt në Podujevë

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 11:08
Bëhen homazhe te varri i Mon Balajt në Podujevë

Familjarë, zyrtarë shtetërorë e qytetarë kanë bërë homazhe te varri i Mon Balajt në Podujevë në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të vrasjes së tij në demonstratën e vitit 2007.

Në këtë ceremoni përkujtimore lule mbi varrin e Balajt kanë vënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e deputetë të Vetëvendosjes.

Në këtë përvjetor të vrasjes së Mon Balajt nuk ka pasur fjalime.

Ministri i Punëve të Brendshme që vie nga radhët e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka kujtuar dy aktivistët e VV-së Arben Xheladini e Mon Balajn të cilët u vranë 15 vjet më parë teksa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.

Sveçla tha se sot kujtojnë Monin e Arbenin si dëshmorë të popullit për liri e vetëvendosje.

“Sot bëhen 15 vite prej protestës së 10 shkurtit 2007. U organizuam për të protestuar kundër pakos së Ahtisarit, e cila theksonte kufizime kundrejt aspiratave legjitime të popullit të Kosovës. Popullit të Kosovës i takonte pavarësia dhe nuk kishim çfarë të jepnim më shumë se ç’ dhamë. Mijëra protestues paqësorë që kërkonin vetëvendosje u përballën me dhunën e shfrenuar të policisë së UNMIK-ut. Mbi 232 plumba gome me afat të skaduar u hodhën mbi protestues nga të cilët u plagosën dhjetëra qytetarë, ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini dhe u plagosën rëndë Mustafë Nerjova, Zenel Zeneli e Hysni Hyseni. Sot kujtojmë Monin e Arbenin, si dëshmorë të popullit për liri e vetëvendosje. Ata dhanë jetën për Kosovën dhe sakrifica e tyre për liri e pavarësi është udhërrëfyesi ynë më i qartë në përgjegjësitë që kemi karshi tyre dhe gjithë qytetarëve të Republikës sonë. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne duhet e do të ecim drejt gjithmonë”, ka shkruar Sveçla.

(Kosova Sot Online)