AstraZeneca shënon rekord miliardësh nga shitja e vaksinës për Covid-19

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 11:29
AstraZeneca shënon rekord miliardësh nga shitja e vaksinës për Covid-19

Kompania “AstraZeneca” regjistroi rritje të madhe të shitjeve të enjten, pasi filloi të shënonte fitim për herë të parë nga vaksina kundër koronavirusit.

Kompania tashmë e njohur shënoi të hyra të plota për një vit prej 37.4 miliardë dollarësh, shifër që përbën rritje për 38 për qind në krahasim me vitin paraprak. Një pjesë e rritjes erdhi nga 4 miliardë dollarët e shitjes së vaksinës kundër sëmundjes Covid-19, të zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Pavarësisht rritjes së të hyrave, prodhuesi anglo-suedez raportoi humbje prej 265 milionë dollarësh për shkak të kostove të blerjes së kompanisë farmaceutike amerikane, “Alexion Pharmaceuticals” dhe të një hulumtimi të ri për ilaçe.

Kompania tha në nëntor se do të fillojë të shënojë fitim “modest” nga vaksina kundër Covid-19, shkruan Associated Press.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Pascal Soriot, tha se AstraZeneca e ka mbajtur premtimin për qasje të gjerë dhe të drejtë në vaksinë. Sipas tij, 2.5 miliardë doza janë shpërndarë përreth botës.

(Kosova Sot Online)