Ambasada britanike: Prioritet i emisarit Peach është mbështetja për dialogun Kosovë – Serbi

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 14:24
Ambasada britanike: Prioritet i emisarit Peach është mbështetja për dialogun Kosovë – Serbi

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka thënë se emisari britanik Sir Stuart Peach, i cili sot e vizitoi Kosovën, po punon për ta promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkan.

Peach, përveç takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, po takohet edhe me përfaqësues të partive politike.

“Me shumë kënaqësi mirëpresim Sir Stuart Peach, të dërguarin Special të Kryeministrit në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë për vizitën e parë në rolin e tij të ri. Sot në mëngjes ai pati takime me Presidenten dhe Kryeministrin dhe po takon edhe përfaqësues të partive të ndryshme politike për t’i dëgjuar prioritetet dhe shqetësimet e tyre nga dora e parë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Prioritetet e emisarit të Mbretërisë së Bashkuar për rajonin përfshijnë mbështetjen për dialogut Kosovë – Serbi.

“Sir Stuart po punon për ta promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në këtë rajon. Prioritetet e tij përfshijnë punën me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëgimisë siç janë krimet e luftës dhe personat e pagjetur dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

(Kosova Sot Online)