Pas njohjes së patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania, Sveçla tregon vendet tjera që do t’i njohin

  • G.G /
  • 11 February 2022 - 13:58
Pas njohjes së patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania, Sveçla tregon vendet tjera që do t’i njohin

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se njohja e patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania është lehtësim i jetës dhe veprimtarive të kosovarëve që jetojnë atje

Sveçla ka shkruar se kjo vjen si rezultat i angazhimit të madh të ekipeve si dhe kërkesave të shpeshta të kosovarëve që jetojnë në Gjermani.

 “Një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët tanë në Gjermani. Në mbledhjen e Bundesratit Gjerman, sot është votuar njohja e ndërsjellë e patent shoferëve mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës.  Ky sukses është rezultat i një angazhimi të madh të ekipeve tona, të cilët gjej rastin ti falënderoj për punën e tyre të palodhshme si dhe kërkesa më e shpeshtë e qytetarëve tanë kudo nga Gjermania. Që nga marrja e detyrës kemi punuar intensivisht që ky proces të përfundojë suksesshëm dhe sa më parë”, ka shkruar Sveçla.

Ai tutje ka deklaruar se ka marrë aprovimin nga Qeveria e Kosovës për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë dhe Kanadanë si dhe është në proces me Italinë dhe Austrinë.

“Marrëveshja sipas legjislacionit në Republikën Federale të Gjermanisë ka marrë aprovimin e të gjitha landeve dhe patent shoferët do të njihen në tërë Gjermaninë. Të dashur qytetarë që jetoni kudo në diasporë, Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë suaj është përgjegjësi e jona në bashkëpunim me shtetet aleate ku ju jetoni. Në të gjitha takimet me homologët e mi kam ngritur këtë dhe çështje të tjera për ju. Këtë javë ne kemi marrë aprovimin e Qeverisë sonë për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë e Kanadanë dhe jemi në proces me Italinë e Austrinë dhe natyrisht do të njoftoheni me të gjitha proceset që do të nisim apo finalizojmë”, ka shkruar Sveçla.

Gjermania ka vendosur sot që t’i njohë patentë-shoferët nga Kosova. Ky propozim ka marrë miratimin e të 16 landeve gjermane.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se Kosovës s’i mungoi asnjë votë.

“Kënaqësi e veçantë të takoja pjesën më të madhe të Ministrave të Transportit të 16 landeve gjermane në prag të votimit të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës. Edhe me i lumtur, kur nga 69 votat e përgjithshme të Bundesratit, Republikës tonë nuk i mungon asnjë votë. Kjo flet shumë për miqësinë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për fuqizimin dhe ngritjen e cilësisë së standardizimit të patentë shoferëve të Kosovës me normat evropiane. Faleminderit Gjermani”, ka shkruar Ajeti.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=338756054927344&id=100063788556625

(Kosova Sot Online)