Lufta për merita pas vendimit të Gjermanisë për patentë shoferët, lajmërohen Vjosa Osmani dhe Xhelal Sveçla

  • E.K /
  • 11 February 2022 - 14:09
Lufta për merita pas vendimit të Gjermanisë për patentë shoferët, lajmërohen Vjosa Osmani dhe Xhelal Sveçla

Sot në Bundesratin gjerman është përmbyllur një proces tre vjeçar dhe si rezultat, Gjermania tashmë zyrtarisht i njeh patentë shoferët e lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Pas një vendimi të tillë, krerët e institucioneve të vendit janë lajmëruar menjëherë, kush t’i marrë meritat i pari.

Ka reaguar presidentja Vjosa Osmani e cila ka thënë se çështjen e patentë-shoferëve e kishte diskutuar gjatë takimit me presidentin e Gjermanisë, Steinmeier, dhe në takimet që ka pasur me ministrin e Jashtëm, Heiko Mass.

“Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në takimet me Presidentin Steinmeier, si dhe në takimet me ish- ministrin e punëve të jashtme, z. Maas fillimisht në Prishtinë me 22 prill të vitit të kaluar, e pastaj dhe gjatë qëndrimit tim në Berlin, kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje”, ka shrkuar Osmani.

Meritat për finalizimin e procesit s’ka hezituar t’i marrë as ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka reaguar menjëherë në profilin e tij në ‘facebook’ ka shkruar se si në çdo takim të mundshëm e ka përmendur çështjen e patentë shoferëve.

“Ky sukses është rezultat i një angazhimi të madh të ekipeve tona, të cilët gjej rastin ti falënderoj për punën e tyre të palodhshme si dhe kërkesa më e shpeshtë e qytetarëve tanë kudo nga Gjermania. Që nga marrja e detyrës kemi punuar intensivisht që ky proces të përfundojë suksesshëm dhe sa më pare”, ka shkruar Sveçla.

Por procesi për njohjen e patenë-shoferëve ka filluar në vitin 2019, kur Kosova për të parën herë kishte aplikuar për njohjen e lejeve për ngasjen e veturave.

Që nga ajo kohë, ministrat e Brendshëm gjatë Qeverisë së Ramush Haradinajt më pas edhe Agim Veliu gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit, kanë zhvilluar takime të shumta në Berlin e Prishtinë me ministra e zyrtarë të qeverisë gjermane në të cilat kërkonin njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës nga Gjermania.

Lobim për njohjen e patentë-shoferëve nga Gjermania kishte bërë edhe Meliza Haradinaj-Stublla gjatë kohës sa kishte qenë ministre e Punëve të Jashtme në qeverisjen e Ramush Haradinajt.

(Kosova Sot Online)