Rusia reagon pas paralajmërimit të ShBA-së për sulm rus ndaj Ukrainës

  • S.A /
  • 12 February 2022 - 09:32
Rusia reagon pas paralajmërimit të ShBA-së për sulm rus ndaj Ukrainës

Rusia ka reaguar pas paralajmërimeve se sulmi i saj ndaj Ukrainës mund të ndodhë së shpejti, duke i akuzuar vendet dhe mediet perëndimore për përhapje të një “fushate të gjerë dezinformimi” dhe duke thënë se kjo po bëhet me qëllim të “devijimit të vëmendjes nga veprimet e tyre agresive”.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Rusisë erdhi vetëm disa orë para një telefonate që pritet të zhvillohet mes presidentëve Joe Biden të Shteteve të Bashkuara dhe Vladimir Putin të Rusisë të shtunën dhe pasi ShBA-ja paralajmëroi se sulmi rus ndaj Ukrainës mund të ndodhë shumë shpejt.

“Në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022, hapësira globale e informimit u përball me një fushatë të pashembullt mediale sa u përket madhësisë dhe sofistikimit, qëllimi i së cilës është që të bindet komuniteti botëror se Federata Ruse është duke përgatitur një pushtim të territorit të Ukrainës”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.

Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, të premten paralajmëroi se një sulm rus kundër Ukrainës mund të fillojë së shpejti, përfshirë sulmet me bomba dhe raketa. Ai i këshilloi të gjithë amerikanët që ndodhen në Ukrainë që të largohen sa më shpejt që është e mundshme nga ky shtet për sigurinë e tyre.

Derisa zyrtari amerikan tha se nuk është e qartë nëse Putini ka vendosur për ta pushtuar Ukrainën, ai shtoi se ekziston “një mundësi shumë e dallueshme” se Rusia do të veprojë ushtarakisht, shkruan CNN.

Të enjten, disa imazhe të reja satelitore, të publikuara nga kompania amerikane, “Maxar Technologies”, dukej se shfaqnin grumbullim të vazhduar ushtarak të Rusisë në Krime, në perëndim të Rusisë dhe në Bjellorusi.

(Kosova sot Online )