ZRRE: Partitë të përmbahen nga tendencat për të përfituar politikisht

  • E.K /
  • 14 February 2022 - 15:00
ZRRE: Partitë të përmbahen nga tendencat për të përfituar politikisht

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka reaguar ndaj aksionit të Partisë Socialdemokrate (PSD).

ZRRE thekson se me metoda të dhunshme dhe në mënyrë të paprecedentë, anëtarë të partisë politike PSD kanë hyrë sot në hapësirat e punës së ZRRE-së, duke i pamundësuar punën personelit.

“Vendimet e Bordit, pas marrjes së tyre, revidohen dhe draftohen ligjërisht nga departamentet e ZRRE-së dhe bëhen publike pas integrimit të të gjithë komenteve të anëtarëve të Bordit. Ky është proces i rregullt dhe ZRRE pret ta publikojë draftin gjatë kësaj jave. Komunikata për media dhe përgjigjet ndaj komenteve të palëve të interesit tashmë janë publikuar”, thuhet tutje në reagimin e ZRRE-së.

PSD-ja ia ndal rrymën ZRRE-së, kërkon që të bëhet publik vendimi për tarifat e rrymës

Në fund, ZRRE-ja ka ftuar të gjitha partitë politike, siç thotë kjo zyrë, të përmbahen nga tendencat për të përfituar politikisht.

Sot, aktivistët e PSD-së, për një kohë kanë qëndruar në ZRRE duke kërkuar përgjigje për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

(Kosova Sot Online)