Britania: Pushtimi i Ukrainës ka shumë gjasë dhe mund të ndodhë së shpejti

  • E.K /
  • 15 February 2022 - 09:15
Britania: Pushtimi i Ukrainës ka shumë gjasë dhe mund të ndodhë së shpejti

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, tha të martën se pushtimi rus i Ukrainës është me shumë gjasa, mund të jetë afër në aspektin kohor dhe do të përbënte kërcënim për stabilitetin më të gjerë të Evropës, që do t’i trimëronte agresorët përreth botës.

“Kjo ka të bëjë me stabilitetin më të gjerë të Evropës dhe me stabilitetin më të gjerë global dhe me mesazhin që u japim agresorëve dhe ne duhet t’ia japim mesazhin Vladimir Putinit se nuk mund të ketë shpërblim për agresion”, tha kryediplomatja britanike.

Paralajmërimi i saj ngjau me deklaratat e politikanëve amerikanë, të cilët kanë paralajmëruar se i ashtuquajturi operacion me “flamur të rremë” mund të përdoret nga Moska për ta nxitur fillimin e konfliktit, shkruan Reuters.

“Ende është rasti që pushtimi të mund të jetë i afërt në kohë dhe ai është me gjasa të mëdha”, shtoi zyrtarja e lartë britanike.

Paralajmërim të ngjashëm për sulmin e mundshëm rus dha të hënën edhe kryediplomati francez, Jean-Yves Le Drian. “Nëse pyetja është se a ka elemente të gatshme në mënyrë që të ketë ofensivë të madhe nga forcat ruse në Ukrainë, atëherë po, është e vërtetë. Është e mundshme dhe shpejt”, tha kryediplomati francez për televizionin “France 5 TV”.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, niset të martën drejt Moskës për t’u takuar me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në një mision të rëndësishëm për ta shmangur luftën. Partnerja më e madhe tregtare e Rusisë në Evropë ka paralajmëruar sanksione të mëdha, nëse Rusia e sulmon Ukrainën.

(Kosova Sot Online)