Selakoviq: Kemi garanci nga emisarët për formimin e Asoaciacionit, s’na kërkohet njohja e Kosovës për anëtarësim në BE

  • E.K /
  • 15 February 2022 - 12:11
Selakoviq: Kemi garanci nga emisarët për formimin e Asoaciacionit, s’na kërkohet njohja e Kosovës për anëtarësim në BE

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë sot se Serbia nuk do të rrijë duarkryq nëse Kosova fillon të sigurojë njohje të reja.

Ai kërcënoi me “ndryshimin e sjelljes” në rast se Kosova do të njihet edhe nga shtete të tjera.

“Nëse dikush mendon se në atë mënyrë do të na shtyjnë pas murit, na e kthen dorën për të rënë dakord për diçka, duhet ta dijë se edhe ne mund të ndryshojmë mënyrën e sjelljes”, tha ai në një intervistë për “Veçernje novosti”.

Selakoviq tha se nuk ka presion mbi Serbinë lidhur me raportet me Kosovën dhe situatën me Republika Srpskan në Bosnjë, por parashikon që situata të komplikohet për ta këtë vit.

Për dallim prej përfaqësuesve të lartë në Bashkimin Evropian, Selakoviq thotë se Serbisë nuk i kërkohet njohja e Kosovës për t’u bërë anëtare e BE-së.

“Detyrimi ynë është i qartë, në momentin që do të bëhemi anëtare e BE-së, atëherë duhet të koordinojmë politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë”, thotë ai.

Selakoviq tha se kanë marrë garanci “të forta” nga emisarët e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak se do të ndikojnë që të formohet Asociacioni i komuneve me shumicë serbe.

“E vetmja gjë që mund të diskutohet është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit”, tha ai, duke shtuar se ka marrë “garancitë më të forta” nga Lajçak dhe Escobar se BE-ja dhe SHBA-ja do të ndikojnë në Kosovë për zbatimin e marrëveshjes dhe formimin e Asociacionit.

Ai foli edhe për emërimin e ambasadorit të ri të SHBA-së, Christopher Hill, i cili pritet të mbërrijë shpejt në Beograd.

“Është gjithashtu e rëndësishme që sot padyshim ka diçka që nuk ka ekzistuar në vitet 1990 – dhe kjo është rruga e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, theksoi Selakoviq.

(Kosova Sot Online)