‘Po përgatitet skenar i paparë i gjykimit të hajnave të arkës së shtetit’

‘Po përgatitet skenar i paparë i gjykimit të hajnave të arkës së shtetit’
‘Po përgatitet skenar i paparë i gjykimit të hajnave të arkës së shtetit’

Hasan Preteni

  • 15 February 2022 - 07:50

Shkruan: ANALISTI - Hasan Preteni  

Është rasti i parë i një afere korruptive që të akuzuarit e pranojnë fajësinë. Pritet çka do të ndodhë në vazhdim pas 28 Shkurtit. Jam i sigurte se ky manovër është i orkestruar sepse për të vjedhur 2 milion nga arka e shtetit është e pamundur që të përgjigjen vetëm dy persona.

Për krim të organizuar përfshirja duhet me qenë më e gjatë,qasja në thesar nuk mundë të jetë aq e lehtë,ka më shumë persona të nivelit të lartë dhe se me këtë po tentohet që rrethi duhet mbyllur vetëm me dy persona. Tani këta tjerët që po abolohen-po falen tani do të bëjnë presion te gjykata që "kurbanat" të dënohen më pak. Do të kthehet edhe një pjesë e mjeteve dhe rrethi do të mbyllet.

Epilogu do të jetë ky: dy veta në burg afatshkurtër, gjysma e mjeteve të kthehet në buxhet dhe bosët e mëdhenj do të shpëtojnë pa therë në këmbë,do fitohet një milion dhe rrethi do të mbyllet. Në fund të gjithë të kënaqur, gjyqësori do të lavdërohet për procedim kurse ideatorët e nivelit të lartë do të kënaqen me kaq dhe kështu të pa dënuar do të vazhdojnë përpjekjet për vjedhjet e radhës.

Është mirë që një vit nuk kemi ndonjë rast të veçantë të krimit dhe korrupsionit por nuk duhet të kalohet në vetëkënaqësi. Kjo qeverisje nuk duhet të kënaqet me kaq, rastet nga e kaluara duhet të ndiqen pa asnjë pardon dhe pa asnjë emocion. Vetëm nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit do të dalin me dhjetëra raste të korrupsionit të nivelit të larte.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".