Konfirmohet lista prej gjashtë kandidatësh për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

  • E.K /
  • 15 February 2022 - 14:24
Konfirmohet lista prej gjashtë kandidatësh për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e radhës ku në fillim anëtarët kanë miratuar Planin strategjik dhe Planin e veprimit të sistemit prokurorial 2022-2024 dhe Planin e Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2022.

Ndërsa takimi ka vazhduar me miratimin e Rregullores për Zgjedhjen dhe Përfundimin e Mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë.

“Më tej, pas diskutimeve, anëtarët e KPK-së kanë konfirmuar listën prej gjashtë kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, njofton KPK, transmeton Express.

Në këtë takim është miratuar edhe Plani i personelit për vitin 2022.

“Takimi vazhdoi me miratimin e Raportit të Komisionit për Transferim dhe Avancim të Prokurorëve, me ç’rast prokurorja Suada Hamza është avancuar nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Po ashtu, KPK-ja mori vendim për propozimin për lirim nga detyra të katër prokurorëve, që pritet të arrijnë moshën e pensionimit.

Në fund të këtij takimi janë mbajtur seanca dëgjimore për rastet disiplinore ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prizren, kurse vendimet përkatëse do të bëhen publike siç parashihet me ligj.”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)