Me draftin e ri, pagat e arsimtarëve më të ulëta, të mësuesve rriten për 2 euro

  • E.K /
  • 16 February 2022 - 10:41
Me draftin e ri, pagat e arsimtarëve më të ulëta, të mësuesve rriten për 2 euro

Drafti i ri i Projektligjit për pagat në sektorin publik – jofinal sipas qeveritarëve – parashikohet t’ua rrisë të ardhurat punëtorëve, por nuk parasheh domosdoshmërisht paga më të larta për të gjithë, krahasuar me ligjin e mëparshëm. Për shembull, drafti i ri jofinal i Projektligjit për pagat në sektorin publik, i projektuar nga Qeveria Kurti parashikon paga më të ulëta për arsimtarët nga sa parashihej nga ligji i mëparshëm, i miratuar gjatë qeverisjes Haradinaj.

Ligji për Pagat e Sektorit Publik, ishte miratuar nga Kuvendi gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, por punëtorët e sektorit publik nuk i morën asnjëherë pagat e rregulluara sipas atij ligji, që njëherë u pezullua, e më pas u shfuqizua, pas një vendimi të Gjykata Kushtetuese.

Me ligjin e Haradinajt, pagat e mësuesve e klasave 1-5 parashihej të ishin 549,7 euro. Ndërkaq mësuesit e klasave 6-9 do të paguheshin me 585,55 euro në muaj. Sipas atij ligji, paga përllogaritej deri në koeficientin 10 (1:10). Ndërsa vlera e koeficientit ishte 239.

Drafti i ri i projektligjit për pagat e sektorit publik tash, nuk i ndan këto dy kategori mësimdhënësish. Sipas tij, mësimdhënësit në shkollë fillore dhe të mesme të ulët do t’i marrin 552 euro në muaj. Për mësuesit (1-5) i bie një rritje 2 eurosh prej ligjit të shfuqizuar të Haradinajt, ndërsa për arsimtarët (6-9), i bie 33,55 euro më pak nga sa do t’i merrnin me ligjin e Haradinajt.

Drafti i ri ka koeficientët deri në 20. Vlera e koeficientit nuk caktohet me ligjin për paga, por mediat kanë raportuar se ajo vlerë do të jetë 120 euro.

Koeficienti i mësimdhënësit e shkollave fillore kanë koeficient 4.6, ndërsa të së mesmes kanë koeficent 4.9.

Shkëputur nga drafti i projektuar nga Qeveria

Mësimdhënësve të shkollave të mesme, të cilët me ligjin e Haradinajt do të merrnin 621 euro në muaj, me draft-in e Qeverisë Kurti parashihet të marrin 588 euro.

Ekzistimin e një drafti të projektligjit për pagat e sektorit publik e ka mohuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se vlera e koeficientit nuk do të jetë as pjesë e ligjit. 

(Kosova Sot Online)