Ambasadori gjerman përgjigjet për kritikat e presidentes Osmani ndaj BE-së

  • E.K /
  • 16 February 2022 - 14:52
Ambasadori gjerman përgjigjet për kritikat e presidentes Osmani ndaj BE-së

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, në një intervistë për Express ka folur edhe për kritikat e presidentes, Vjosa Osmani, në drejtim të Bashkimit Evropian dhe emisarit Miroslav Lajcak, se Brukseli po e llaston Serbinë dhe se po e trajton Kosovën në mënyrë të pabarabartë.

Rohde ka thënë se Gjermania ka besueshmëri të plotë në punën që po e bën Miroslav Lajçak dhe shton se sllovaku po e bën më të mirën në procesin e negociatave.

Ai tutje ka thënë se s’është detyrë e tij që të komentojë qëndrimet e akterëve politikë, megjithatë ka potencuar se “s’mund të negociosh, nëse nuk sjell propozime në tavolinë për çfarëdo çështje”

Pjesë nga intervista:

Çfarë mund të them është që nuk mund të negociosh, nëse nuk sjell propozime në tavolinë për çfarëdo çështje.

Gazeta Express: Për sa i përket ndërmjetësimit të dialogut. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën e saj të fundit ka kritikuar hapur BE-në, pasi sipas saj, Brukseli po e trajton Kosovën në mënyrë të pabarabartë. Osmani tha se nuk mund të arrihet një marrëveshje e mirë, përderisa palët trajtohen në mënyrë të pabarabartë dhe ndërmjetësi nuk ka kredibilitet. A po e llaston BE-ja Serbinë, siç thotë presidentja?

Amb. Jorn Rohde: Ne kemi besim të plotë tek z. Lajçak, si lehtësues i dialogut. Këtë e kemi përsëritur disa herë. BE përmes z. Lajçak po e bën më të mirën e mundshme për të arritur përparim në dialog, prandaj edhe ekziston një diplomaci intensive në mes të të dyja palëve. Por varet nga palët, se a do të arrijnë përparim në fund, sepse atyre iu duhet të vendosin. Ne nuk propozojmë, por lehtësojmë.

Gazeta Express: Si e komentoni deklaratën e Presidentes Osmani…?

Amb. Jorn Rohde: Nuk është detyrë e imja të komentoj qëndrimet e akterëve politikë. Çfarë mund të them është që nuk mund të negociosh, nëse nuk sjell propozime në tavolinë për çfarëdo çështje.

(Kosova Sot Online)