Kurti e Lajçak duken në disponim të mirë gjatë takimit në Mynih, flasin për dialogun e marrëveshjen finale

  • E.K /
  • 19 February 2022 - 11:46
Kurti e Lajçak duken në disponim të mirë gjatë takimit në Mynih, flasin për dialogun e marrëveshjen finale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot në Mynih me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Në këtë takim, siç njofton zyra për media e kryeministrisë, Kurti dhe Lajçak kanë biseduar për procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, derisa kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se Kosova mbetet e angazhuar për një dialog parimor dhe për një marrëveshje të qëndrueshme me njohjen reciproke në qendër.

“U bisedua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështetë dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel, për dialog parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Tutje Kurti ka shprehur vendosmërinë e tij që integriteti territorial, sovraniteti funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, të ngelen të pacenuara.

 “U bisedua edhe për bashkëpunimin rajonal, ku kryeministri potencoi mbështetjen e fuqishme për procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal. Kryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE, për mbështetjen për vendin tonë, si dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)