Dy shtete e përkrahin vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë së Donetskut dhe Luhanskut

  • E.K /
  • 23 February 2022 - 09:04
Dy shtete e përkrahin vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë së Donetskut dhe Luhanskut

Ministria e Jashtme e Rusisë u ka bërë thirrje shteteve që ta ndjekin shembullin e saj dhe ta njohin pavarësinë e rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës lindore.

Të martën, Siria dhe Nikaragua thanë se e përkrahin vendimin e Moskës për ta njohur pavarësinë e këtyre dy rajoneve, ndonëse nuk është e qartë nëse këto vende do ta marrin vendimin për njohje, shkruan BBC.

Asnjë shtet pos Rusisë nuk e njeh pavarësinë e të ashtuquajturave Republika Popullore të Donetskut dhe Luhanskut, ndonëse një rajon tjetër i përkrahur nga Rusia, Osetia Jugore, më 2015 kishte dhënë përkrahje për regjimet atje.

Osetia Jugore ndodhet Brenda territorit zyrtar të Gjeorgjisë. Ky rajon e shpalli pavarësinë pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë më 2008. Pavarësia e Osetisë Jugore njihet nga disa vende aleate të Rusisë.

Vendet perëndimore e kanë dënuar veprimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, por disa shtete tjera e kanë përkrahur Moskën.

Qeveria komuniste e Kubës e ka akuzuar Perëndimin se e ka bërë Moskën cak të një “lufte propaganduese”.

Më herët këtë muaj, Koreja Veriore u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që ta ndalin atë që e quajti “politikë armiqësore” të “izolimit dhe dobësimit të Rusisë”.

Mediet iraniane gjithashtu kanë shprehur simpati për veprimet e Moskës në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)