Matjet e CNN-it: Çdo i dyti rus do që të pengohet me forcë Ukraina për të mos hyrë në NATO

  • E.K /
  • 23 February 2022 - 13:39
Matjet e CNN-it: Çdo i dyti rus do që të pengohet me forcë Ukraina për të mos hyrë në NATO

Sipas një sondazhi për televizionin amerikan, CNN, gjysma e rusëve besojnë se do të ishte gjë e duhur që Moska ta përdorte forcën ushtarake për t’ia parandaluar Ukrainës anëtarësimin në NATO.

Në bazë të kësaj ankete, vetëm 25 për qind e rusëve thanë se përdorimi i forcës ushtarake për këtë qëllim do të ishte gabim, ndërsa 25 për qind thanë se nuk janë të sigurt, shkruan CNN.

Sidoqoftë, sipas sondazhit, më shumë rusë mendojnë se do të ishte gabim që të përdoret forca ushtarake “për t’i ribashkuar Rusinë e Ukrainën” – dy shtete me histori të gjatë e të ndërlikuar.

43 për qind e rusëve thanë se përdorimi i forcës ushtarake kundër Ukrainës për ta bashkuar këtë vend me Rusinë do të ishte i gabuar, ndërsa 36 për qind thanë se një gjë e tillë do të ishte gjë e duhur. Pjesa tjetër e pjesëmarrësve në anketë thanë se nuk dinë nëse kjo do të ishte gjëja e duhur apo gabim.

Shumica e ukrainasve e kundërshtojnë vlerësimin e presidentit rus, Vladimir Putin, në një fjalim të hënën se vendi i tyre nuk ka bazë historike dhe se në thelb është krijim i Bashkimit Sovjetik.

Shumica e ukrainasve gjithashtu thanë se nuk janë “një popull” me rusët dhe se dy vendet nuk duhet që të bëhen një.

Anketa është kryer me më shumë se 1.000 persona në secilin shtet, nga 7 deri më 15 shkurt, përmes internetit para fjalimit të Putinit dhe para njohjes së pavarësisë së dy rajoneve lindore ukrainase nga Rusia.

(Kosova Sot Online)