Besimi qytetar për luftë kundër krimit, Qeveria Kurti tash është para provimit!

Besimi qytetar për luftë kundër krimit, Qeveria Kurti tash është para provimit!

Hajrullah Tërnava

  • 23 February 2022 - 12:55

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Kosova e kriminalizuar deri në këtë masë që tani edhe qytetarët e thjeshtë e kanë kuptua këtë situatë kriminale, e mos të flasim për ndërkombëtarët që ata që shumë vite janë duke na e tërhequr vërejtjen që të luftohet krimi që e ka kaplue Kosovën, sepse me këtë nivel të kriminalizimit, Kosova s’mundet të demokratizohet dhe të ju përafrohet vendeve te BE, por udhëheqësit e deri tashëm të qeverive të tëra dhe deri te e para fundit, bënin çmos për tu pasuruar, sa që nuk  turpëroheshin kur i rrenin qytetarët se ju është pranuar edhe Liberalizimi i vizave, dhe ngrinin dolli duke gënjyer e mashtruar.

Tani është e kuptueshme se për krimin e organizuar sikur që ka funksionuar  qysh nga çlirimi e deri më tani, po  na e dëshmojnë edhe këto ndodhi që tani po i shohim e po i shpjegojmë, e që po vazhdon dita ditës të dëshmohet dhe të forcohet bindja, madje edhe me prova, për lidhjen e ngushtë të sistemit të drejtësisë me krimin e organizuar, sidomos me atë që sjell përfitime të mëdha materiale përmes ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme kriminale, siç janë lojërat e fatit, forma më perfide e mashtrimit dhe zbrazjes së xhepit të qytetarëve të mashtruar e të pa informuar.

Gjykimi i një rasti të tillë skandaloz është duke dështuar për herë të tretë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sepse aty bëhet fjalë për infiltrim në mashtrim dhe në krim edhe të zyrtarëve të shtetit, të punësuar pikërisht në institucionet e hetimit dhe parandalimit të këtyre veprimtarive të ndaluara me ligj, punëtor të ATK-së një strukturë që duhet të ishte profesionale por që SHIK-u e ka shtrirë ndikimin e vetë me kohë aty, e ka futur nën kontroll për interesa te veta kriminale. Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të dytën herë radhazi ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarve, dy ish-inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ramadan e Selatin Hoxha, të cilët akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare, kurse Skënder Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati, Burim Ismajli e Fisnik Ibishi akuzohen për organizim të skemave piramidale. Anëtarët tjerë të këtij grupi, Arian Kastrati, Driton Haxhia, Ramadan Latifi e Burim Ismajli akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, kurse Ramadan Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, për ndihmë në zbulim të fshehtësisë zyrtare akuzohet Fisnik Ibishi.

Prokuroria special e ka ngritur aktakuzën lidhur me  këtë rast në maj të vitit 2019, por është zvarritur procesi gjyqësor, derisa të akuzuarit veprimtarinë e tyre kriminale të mashtrimit me lojëra të fatit e kanë ushtruar kundërligjshëm për më shumë se një vit, derisa janë kap në flagrancë nga muaji shkurt i vitit 2015, e deri më 1 dhjetor 2016, të pandehurit Skënder Fetaj, si pronar i biznesit “EGTK II” sh.p.k, Arian Kastrati dhe Driton Haxhia si menaxherë, duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Lojërat e Fatit, i cili ishte aso kohe në fuqi.

Sipas aktakuzës, këtë thuhet se mashtrimin e kanë bërë në atë mënyrë që edhe pse Skënder Fetaj, kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menaxhimin e së cilës bashkëvepronin Arian Kastrati dhe Driton Haxhia, me dijeni dhe dashje të tij kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin, kanë siguruar numra serik të duplifikuar- falsifikuar të roletave dhe të aparateve të automateve, e këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme, e kanë krijuar përfitime të kundërligjshme, pasi kanë qenë pa licencë. Tutje, në aktakuzë thuhet që pas organizimit të kontrollit me urdhër të gjykatës, në tri operacione më 22 prill e 23 prill të vitit 2015, 23 prill 2016, dhe në operacionin e 1 dhjetorit 2016, në pikat e “EGTK II”, janë gjetur tre roleta të duplifikuar – falsifikuar. Sipas aktakuzës, për këto tri rolete që secila ka nga katër ulëse aktive, nuk është paguar akciza për secilën ulëse nga 420 euro në muaj, që për një muaj është shuma prej 5 mijë e 40 euro, nëse llogaritet për një vit shuma e detyrimit është 60 mijë e 480 euro.

Në aktakuzë thuhet se gjatë aksionit të 1 dhjetorit 2016, janë gjetur 18 aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot” të duplifikuara-falsifikuara, të licencuara në qytete të caktuara e të gjetura në qytete tjera. Sipas aktakuzës, gjithashtu janë gjetur katër aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot”, të cilët nuk kanë qenë të licencuar në ATK, nga rezulton se për çdo aparat të duplifikuar- falsifikuar dhe të pa licencuar, gjithsej 23 aparate në bazë të vendimit të Qeverisë të 22 korrikut 2015, është dashur të paguhet akciza mujore prej 700 euro dhe atë në shumë prej 16 mijë e 100 euro në muaj që nëse llogaritet detyrimi vjetor do të ishte 193 mijë e 200 euro. Me këtë, aktakuza thotë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253 mijë e 680 euro. Për këtë, ata akuzohen nga PSRK që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Kurse, të pandehurit Ramadan Latifi, Arian Kastrati, Driton Haxhia dhe Burim Ismajli akuzohen se që nga fillimi i vitit 2016 deri më 1 dhjetor 2016, në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake kanë organizuar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin për Lojëra të Fatit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në njësitë e bastores, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes veti kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me qen” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka me pas kontrolle, si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit. Të pandehurit thuhet se po ashtu me dashje dhe qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kanë zhvilluar aktivitete në bastore sportive në pika- njësi të palicencuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë. Me rastin e kontrollit të këtij biznesi, me urdhër të gjykatës të kryer më 1 dhjetor 2016 thuhet se janë gjetur 16 njësi të palicencuara e sipas Ligjit për Lojëra të Fatit për secilën pikë të re të hapur do të duhej të paguhej shuma prej 5 mijë euro dhe për çdo muaj akciza për një pikë-njësi të bastores shuma prej 840 euro, duke i ikur kështu detyrimit të licencimit fillestar në shumë prej 80 mijë euro dhe akcizës mujore prej 13 mijë e 400 euro. I pandehuri Ramadan Ibishi, thuhet se nga fundi i vitit 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, në cilësi të personit zyrtar, inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material pa autorizim iu ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare. Këtë thuhet se e ka bërë në përmes telefonit të tij.

Thuhet se ai i ka njoftuar personat e paautorizuar- menaxherët e kompanive të lojërave të fatit për aksionet e ATK-së, kur dhe ku ata do të dalin në aksion vetëm apo me policinë e Doganën e Kosovës, e duke u dhënë edhe udhëzime që t’i mbyllin lokalet që këta persona do të mund t’iu iknin ndëshkimeve apo masave të tjera ligjore për punën e kundërligjshme të tyre. Edhe  i pandehuri Selatin Hoxha, thuhet se që nga viti 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, në cilësi të personit zyrtar, inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material, pa autorizim iu ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit informatat që janë fshehtësisë zyrtare. Këtë thuhet se e ka bërë përmes telefonave të tij dhe i ka njoftuar menaxherët e kompanive të lojërave të fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektim të lokaleve apo edhe është takuar fizikisht me ta për t’i njoftuar për kontrollet e kryera dhe gjobat e shqiptuara duke iu mundësuar që t’i ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

Kurse, Fisnik Ibishi që është djali i të akuzuarit Ramadan Ibishi po akuzohet për veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së në ndihmë e lidhur me nenin 33 të KPRK-së. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që i pandehuri Ramadan Ibishi, derisa ka qenë në orar të punës, ia ka përcjellë të pandehurit Fisnik Ibishi informatat zyrtare dhe atë se kur dhe ku do të kryhen kontrolle nga inspektorët e ATK-së në bizneset e lojërave të fatit, i cili më pas ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve duke përdorur gjatë njoftimit fjalorin apo zhargonin “jam në qytetin e Gjakovës, jam në Gjilan, Viti, etj, a ke kohë për kafe”.

Thuhet se në këtë mënyrë iu ka dhënë informata se në cilin qytet janë duke dalë kontrollet e ATK-së për inspektim të lokaleve, e duke ia mundësuar kompanive të lojërave të fatit, menaxherëve të tyre që t’i ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre. Nëse i kemi parasysh këto dëshmi të krimit të organizuar,  sikur që janë zhvilluar me  këto lojra të fatit, këto flasin vetë për dëshmi dhe rastet e tilla si dhe raste të ngjashme flasin e argumentojnë zhvillimin e këtij krimi, që mundë të eliminohet me veprim urgjent, ku  përveç pastrimit të institucioneve të drejtësisë nga shtresat e krimit përmes VETTING-ut, një proces i hetimit dhe fshesë e madhe për  pastrim duhet të ndodhën edhe  në administratën e shtetit, përmes mekanizmit të dekriminalizimit.

Në bazë të këtyre lidhjeve të zyrtarëve,  si ata të lidhur me ata që i zhvillonin lojërat e fatit në mënyra kriminale, dëshmohet e vërteta se në mënyra të ngjashme zhvillohen edhe krimet tjera në lëmit e ndryshme të krimit në përgjithësi që e ka kaplue Kosovën, prandaj tani  e vetmja shprese e qytetarëve që të shkëputemi nga  këto krime të përgjithshme është ligji i Vettingut, që pritet ta spastroj sistemin e drejtësisë dhe me këtë s’paku qytetarve të këtij vendi të ju kthehet shpresa e të jetuarit dhe  punës së pastër në këtë shtet.  Prandaj edhe nga kjo Qeveri në pushtet kërkohet që ta shpejtoj luftimin e shumë krimeve të përgjithshme që mundë të luftohen  edhe pa këtë ligj që po e presim, dhe mos të hezitojnë për këtë, sepse vetëm luftimi serioz  i veprimeve antiligjore e kriminale do e mban në pushtet në kohë të gjatë këtë qeveri.  

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".