Dy ish-diplomatët e Millosheviqit e këshillojnë Vuçiqin si t’i përgjigjet kërkesave të Perëndimit

  • E.K /
  • 23 February 2022 - 14:00
Dy ish-diplomatët e Millosheviqit e këshillojnë Vuçiqin si t’i përgjigjet kërkesave të Perëndimit

Ish-diplomatët e Sllobodan Millosheviqit, ish-ministrat e Jashtëm të Jugosllavisë Zivadin Jovanoviq dhe Vladislav Jovanoviq besojnë se presioni nga Perëndimi ndaj Serbisë për shkak të krizës në Ukrainë do të rritet, duke e përdorur edhe çështjen e Kosovës. Ata ia kanë dhënë disa këshilla presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit u shpreh i shqetësuar me situatën dhe tha se qëndrimi i Serbisë “nuk është i lehtë”. Ai u shpreh i bindur se Beogradi do të jetë nën presion për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Zivadin Jovanoviq beson se krahas “kërkesave klasike” që Serbia ta zvogëlojë varësinë nga Rusia për çështjen e energjisë, presioni do të shkojë në drejtim të animit edhe më të madh drejt Perëndimit.

“Mendoj se Serbia, si shtet neutral, duhet të ketë kujdes nga çdo lëvizje apo deklaratë e nxituar dhe të vazhdojë të avokojë për dialog, për zgjidhje paqësore dhe diplomatike të krizës. Nga ana tjetër, Serbia si aleate dhe mike tradicionale e Rusisë, si vend me të cilin Rusia ka marrëdhënie strategjike, thelbësore dhe formale, nuk duhet ta pranojë asnjë masë të Perëndimit dhe të bëjë gabime si ai që bëri, për shembull, në lidhje me Bjellorusinë”, thotë Jovanoviq.

Ai e përmend Kosovën dhe thotë se Rusia është aleati më i përhershëm i Serbisë në këtë përpjekje.

“Interesi serb mbetet i rrezikuar nga politikat e NATO-s dhe Perëndimit, të cilat përkrahën secesionizmin dhe terrorizmin në Kosovë. Cilido qoftë presioni mbi Serbinë, vendi ynë, duhet t’i masë të gjitha pikëpamjet e tij për krizën ukrainase përmes prizmit të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, gjegjësisht për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës. Serbia nuk ka asnjë në planet që ta mbështesë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial aq fuqishëm dhe qartë siç bën Rusia dhe më pas Kina. Çfarëdo që po ndodh dhe kudo që po ndodh, ajo duhet të jetë në ballë të Serbisë”, tha Jovanoviq.

Ish-kryediplomati i Millosheviqit, Vladislav Jovanoviq, pret presion të fortë mbi Serbinë nga ana e Perëndimit.

Sipas tij, fusha e radhës e presionit të mundshëm ndaj Serbisë do të jetë kërkesa për vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Në atë rast, presioni i BE-së, SHBA-së dhe fuqive të tjera perëndimore për t’iu bashkuar publikisht sanksioneve ekonomike do të ishte shumë i madh, parashikon ai.

“Ne kemi një përgjigje shumë parimore dhe të qartë, e ajo është respektimi i OKB-së, i cili është i vetmi organ botëror i autorizuar për të vendosur sanksione ndaj anëtarëve të tjerë të organizatës dhe që do të ishin të detyrueshme për anëtarët e tjerë”, thotë dikur ambasadori serb që e përfaqësonte Jugosllavinë në OKB.

Jovanoviq beson se Perëndimi mund ta përdor çështjen e Kosovës dhe Republika Srpskas në Bosnjë për ta bindur Serbinë që të qëndrojë me Perëndimin.

“Për shkak të Ukrainës, ata mund të shkojnë një hap ose dy më tej dhe ta pranojnë rrezikun e ekspozimit ndaj rrezikut të ndikimit të tyre të mëtejshëm në Serbi. Por edhe atëherë, ata do të duhet të bëjnë gjithçka me parashikueshmëri shtesë”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)