Dita e dytë e sulmit rus ndaj Ukrainës, krejt çka ka ndodhur që nga orët e para të mëngjesit

  • E.K /
  • 25 February 2022 - 08:24
Dita e dytë e sulmit rus ndaj Ukrainës, krejt çka ka ndodhur që nga orët e para të mëngjesit

Përmbledhje e zhvillimeve kryesore të orëve të para të ditës së dytë të sulmit rus ndaj Ukrainës

Dy shpërthime u dëgjuan në Kiev në orët e para të së premtes, më 25 shkurt.

Tinguj të ngjashëm u dëgjuan një ditë më parë kur, sipas zyrtarëve ukrainas, një bazë ushtarake në Brovary, një qytet afër Kievit, u godit nga raketat ruse të enjten, duke lënë gjashtë persona të vdekur.

Ministri i Jashtëm ukrainas: Kievi u godit nga sulme të tmerrshme

Sulmet shënuan avancimin e sulmit rus në kryeqytetin e Ukrainës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Kievi ka pësuar nga sulme “të tmerrshme” të Rusisë.

“Sulme të tmerrshme me raketa nga Rusia në Kiev”, shkroi Kuleba në Twitter.

“Hera e fundit kur kryeqyteti ynë përjetoi diçka të ngjashme ishte në vitin 1941 kur u sulmua nga Gjermania naziste.Ukraina e mundi të keqen atëherë dhe do ta mund edhe këtë”, shkroi ai.

Kuleba bëri thirrje për sanksione më të forta ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin.

Ai kërkoi që shtetet të këpusin të gjitha lidhjet me Moskën dhe “të përjashtojnë Rusinë nga çdo vend”.

“Ndaleni Putinin, izolojeni Rusinë”, shkroi ai.

SHBA: Zelenskiy është objektiv kryesor i agresionit rus

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se beson se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, është “objektiv kryesor i agresionit rus.”

Zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, theksoi se autoritetet amerikane kishin thënë për javë të tëra se agjentët rusë tashmë ishin infiltruar në Ukrainë dhe se “po vepronin brenda”.

Zelenskiy në anën tjetër mohoi raportimet se është larguar nga Kievi.

​”Unë po qëndroj në kryeqytet, duke qëndruar me njerëzit e mi,” tha ai.

Ai tha se nuk i lejohej të thoshte saktësisht se ku po qëndronte.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria kanë kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të votojë një rezolutë që dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Sipas diplomatëve, këto dy shtete po tentojnë të mbledhin sa më shumë vota pro midis 15 vendeve anëtare.

Votimi megjithatë pritet të dështojë për shkak të drejtës së vetos që e ka Rusia si një anëtare e përhershme e Këshillit.

Teksti i rezolutës kërkon që Rusia “të ndërpresë menjëherë përdorimin e forcës kundër Ukrainës” dhe “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Australia vendos më shumë sanksione ndaj Rusisë

Australia vendosi më shumë sanksione kundër Rusisë, më 25 shkurt, duke shënjestruar disa nga qytetarët dhe ligjvënësit e saj.

“Ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë për një valë të vazhdueshme sanksionesh dhe për të vazhduar të rrisim presionin ndaj Rusisë,” tha kryeministri Scott Morrison gjatë një konference për media.

Morrison tha se sanksionet e reja do të vendosen kundër “oligarkëve, pesha ekonomike e të cilëve është me rëndësi strategjike për Moskën” dhe ndaj 300 anëtarëve të parlamentit rus që votuan për autorizimin e dërgimit të trupave ruse në Ukrainë.

Macron: Duhet ta lëmë rrugën e hapur për dialog me Putinin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se është e dobishme të mbajnë gjallë mundësinë e dialogut me presidentin rus, Vladimir Putin.

Macron tha pas një samiti të liderëve të BE-së se “derisa dënojnë dhe sanksionojnë”, mbetet e dobishme “të lihet rruga e dialogut hapur, në mënyrë që atëherë kur të plotësohen kushtet, të mund të arrijnë një ndërprerje të armiqësive”.

Ministrat e jashtëm të BE-së mblidhen me urgjencë lidhur me krizën në Ukrainë

Ministrat e jashtëm nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian do të takohen më vonë të premten për një seancë urgjente mbi pushtimin rus të Ukrainës.

Diplomatët thanë se takimi do të përfshijë diskutimin e opsioneve të mëtejshme për të mbështetur Ukrainën dhe mënyrën se si blloku duhet të merret me Rusinë tani e tutje.

Ky takim vie pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord për një paketë të re masive sanksionesh ndaj Rusisë të enjten mbrëma që shënjestron sektorët e energjisë, financave dhe transportit të vendit.

(Kosova Sot Online)