Rezoluta e Parlamentit Evropian: Të zhgënjyer që Serbia s’u rreshtua me BE-në, kjo e dëmton procesin e saj të anëtarësimit

  • E.K /
  • 01 March 2022 - 15:09
Rezoluta e Parlamentit Evropian: Të zhgënjyer që Serbia s’u rreshtua me BE-në, kjo e dëmton procesin e saj të anëtarësimit

Parlamenti Evropian do ta hedhë në votim pas pak Rezolutën e Agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Në pikën 32 të draft-rezolutës ku i referohet Ballkanit Perëndimor përmendet Serbia dhe mosrreshtimi i saj me BE-në për sanksionet ndaj Rusisë. Në draft-rezolutën që e ka siguruar EWB, Parlamenti Evropian ka shprehur keqardhjen që Serbia s’është angazhuar për sanksione ndaj Rusisë.

Draft-rezoluta e Parlamentit Evropian lavdëron shtetet e Ballkanit Perëndimor për përkrahjen e sanksioneve të BE-së dhe dënon ato shtetet që e përkrahin Federatën Ruse.

“(Parlamenti Evropian) thekson me shqetësim të madh përpjekjet e vazhdueshme të Federatës Ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërhyrjen në proceset e tyre demokratike; denoncon ata që i shprehën mbështetje Federatës Ruse pas agresionit të saj ndaj Ukrainës dhe përgëzon mbështetjen e treguar nga ato vende të Ballkanit Perëndimor që janë aleatë euroatlantikë; shprehim keqardhjen e madhe për mos-angazhimin e Serbisë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, të cilat dëmtojnë procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe rithekson pritjen e saj që kandidatët për anëtarësim në BE të jenë në linjë jo vetëm me ligjet e BE-së, por edhe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit”, thuhet në draft-rezolutën e siguruar nga EuropeanWesternBalkans.com

Debati në Parlamentin Evropian mbi luftën në Ukrainë po vazhdon kurse eurodeputetëve iu kanë drejtuar presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell.

Sipas agjendës së seancës së PE-së, rezultati i votimit të rezolutës do të bëhet i ditur në ora 15:00.

(Kosova Sot Online)