Policia del me njoftim të ri për vrasjen e nxënësit në Prishtinë, çka u konfiskua nga i dyshuari

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 09:00
Policia del me njoftim të ri për vrasjen e nxënësit në Prishtinë, çka u konfiskua nga i dyshuari

“Vrasje e rëndë” është cilësuar vrasja e nxënësit 14-vjeç R.H., dje në Vranjevc të Prishtinës. Policia thotë se viktima është sulmuar me thikë nga persona të panjohur, ndërsa një nga të dyshuarit, po ashtu i mitur, është vetëdorëzuar dje në polici.

Nga ky i mitur është konfiskuar edhe një thikë, ndërsa i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mabjtje.

Njoftimi i plotë i policisë sot:

VRASJE E RËNDË /Rr. Fahri Fazliu, Prishtinë 01.03.2022 – 07:34. Është raportuar se viktima mashkull kosovar (i mitur), është dërguar në QKMF për trajtim mjekësor, pasi që i njëjti dyshohet se është sulmuar me thikë nga persona të panjohur. Nga ekipi mjekësor është konfirmuar se viktima është pa shenja jete. I dyshuari mashkull kosovar (i mitur), është vetë dorëzuar dhe nga ai është konfiskuar një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar nisjen e hetimeve për zbardhjen e vrasjes së nxënësit.

Media ka raportuar dje se R.H., 14-vjeç, u ther për vdekje në Vranjevc në një distancë jo të madhe nga shkolla “Hilmi Rakovica”, aty ku vijonte mësimet në klasën e 9-të. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, 14-vjeçari u ther me thikë disa herë teksa po shkonte në shkollë.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, është shprehur e tronditur për vrasjen e nxënësit.

“Kjo është një ditë e rëndë, një trishtim e dhembje e madhe që e ndjen secili prind, secili qytetar i Kosovës”, është shprehur Nagavci në profilin e saj në Facebook.

Nagavci u ka bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve dhe prindërve që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve.

“Si nënë, si mësimdhënëse, e si ministre, i lus të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, të jenë të kujdesshëm për sjelljet që mund të manifestojnë ata, t’i adresojnë problemet dhe vështirësitë që kanë dhe të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve tanë”. 

(Kosova Sot Online)