Dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Malishevës shkaku i grevës

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 12:28
Dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Malishevës shkaku i grevës

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj sot është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritej që me dëgjimin e dëshmitarëve të vazhdonte gjykimi ndaj tij lidhur me akuzat për korrupsion. Mirëpo, për shkak të mungesës së zyrtares ligjore të gjykatëses Violeta Namani, e cila është në grevë bashkë me pjesën tjetër të administratës, kjo seancë dështoi.

Në këto rrethana, seanca është shtyrë për 11 mars 2022.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme punëtorët e administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit janë futur në grevë.

Në gjykimin ndaj Begajt, sot ishte paraparë dëgjimi i dëshmitarit Muharrem Morina, si dhe ekspertit financiar Agim Sheqiri për të elaboruar ekspertizën e tij, sipas propozimit të mbrojtjes, i cili në seancën e kaluar ishte aprovuar nga trupi gjykues.

Ndryshe, gjatë seancës fillestare së mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm. Njësoj u deklarua edhe në seancën e 24 janarit.

Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar në shtator të vitit 2021, ky vendim ishte marrë nga gjykatësja e Departamentit Special e ngarkuar me këtë lëndë, Violeta Namani.

Aktakuza ndaj Begajt ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të shkuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online)