Gruaja e Zelenskyt publikon pamje prekëse të luftës: Po luftojmë edhe për paqen në vendet tuaja

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 12:44
Gruaja e Zelenskyt publikon pamje prekëse të luftës: Po luftojmë edhe për paqen në vendet tuaja

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelensky, ka publikuar pamje prekëse nga lufta në Ukrainë.

Në videon që ka shpërndarë gruaja e presidentit të Ukrainës, shihen gratë me fëmijët teksa strehohen nëpër bodrume, gra duke përgatitur koktej molotovi e në një sekuencë të shkurtër edhe bashkëshorti i saj, i cili kishte publikuar një video nga qendra e Kievit.

Ajo ka thënë se s’do të dorëzohen, derisa iu ka drejtuar botës, duke thënë se ukrainasit janë duke luftuar edhe për paqen nëpër shtetet e tjera.

“Kjo është një video për ta parë bota – ne jemi në luftë. Për shkak të sulmit të Putinit, ukrainasit duhet t’i marrin fëmijët e tyre nëpwr bodrume çdo natë dhe të luftojnë armikun nën muret e shtëpive të tyre. Ukraina është një vend paqësor. Ne jemi kundër luftës dhe nuk kemi sulmuar të parët. Por ne nuk do të dorëzohemi. E gjithë bota, shikoni: ne po luftojmë për paqen edhe në vendet tuaja”, ka shkruar bashkëshortja e Zelenskyt, Olena.

Ndryshe, kur u pyet për familjen e tij, Zelenskyy konfirmoi se nuk e kishte parë gruan e tij Olena dhe dy fëmijët e tij për tre ditë.

Luftimet në Ukrainë janë futur në ditën e shtatë të tyre. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 136 civilë mes të cilëve 13 fëmijë. BBC shkruan se shifrat janë bërë publike nga Kombet e Bashkuara.

(Kosova Sot Online)