Guardian e citon median ruse: Këshilltari i presidentit ukrainas konfirmon pjesëmarrjen në bisedime

  • G.G /
  • 02 March 2022 - 13:22
Guardian e citon median ruse: Këshilltari i presidentit ukrainas konfirmon pjesëmarrjen në bisedime

Një raund i dytë i bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet sot gjatë ditës, njofton The Guardian duke cituar agjencinë shtetërore ruse Tass.

Agjencia ruse e lajmeve ndërkaq ka cituar një këshilltar të presidentit të Ukrainës lidhur me negociatat Rusi-Ukrainë.

Sot, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se një delegacion rus do të jetë “në vend” të mërkurën për një raund të ri bisedimesh me Ukrainën.

“Në gjysmën e dytë të ditës, afër mbrëmjes, delegacioni ynë do të jetë në vend për të pritur negociatorët ukrainas”, ka thënë ai.

I pyetur për vendndodhjen e bisedimeve, Peskov u përgjigj:

“Nuk do ta shpall vendin para kohe”.

Të hënën, bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe ruse u zhvilluan në Bjellorusi, jo shumë larg kufirit ukrainas, por përfunduan pa ndonjë përparim.

(Kosova Sot Online)