E PËRDITËSUAR| Gjithçka që po ndodh sot në Ukrainë

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 09:00
E PËRDITËSUAR| Gjithçka që po ndodh sot në Ukrainë

Ukraina ka hyrë në javën e dytë të luftës. Sulmet e para në territorin e këtij shteti, Rusia i nisi në mëngjesin e 24 shkurtit, ndërsa ukrainasit po vazhdojnë rezistencën. Çfarë po ndodh sot atje? Më poshtë gjeni të gjitha lajmet kryesore rreth luftës.

[13:02] Rrugës për në negociata me Rusinë, delegacioni i Ukrainës publikon foto nga helikopteri

Delegacioni ukrainas dhe ai rus do të takohen sërish sot. Pala ukrainase tashmë është nisur drejt vendtakimit, sipas Vladimir Medinskyt, asistentit të presidentit rus, Vladimir Putin, do të jetë në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë.

Mykhailo Podoliak, këshilltar i Shefit të Zyrës së presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ka publikuar një fotografi nga helikopteri, duke njoftuar se janë nisur drejt vendit ku do të takohen me pushtuesit.

“Rrugës për negociata me Federatën Ruse. Tashmë në helikopterë”, shkroi Podoliak në Twitter.

[12:49] Rajoni i Khersonit bie krejtësisht në duart e rusëve, ushtarët e Putinit i pushtojnë institucionet

Forcat ruse e kanë kapur plotësisht ndërtesën e Administratës së Kherson Oblast, në rajonin e Khersonit në Ukrainën jugore, sipas The Kyiv Indipendent.

Mediumi ukrainas citon guvernatorin Hannadiy Lahuta, i cili sipas tyre e ka konfirmuar se rajoni prej 28,461 km² ka rënë në duart e rusëve.

Kryetari i qytetit të rëndësishëm strategjik të Khersonit pranë gadishullit të Krimesë tregoi më herët se forcat ruse e kanë marrë kontrollin.

[12:46] Njoftimi nga Ukraina: Shifra rekorde të shtetasve të huaj që po i bashkohen luftës

Autoritetet ukrainase njoftojnë që shumë shtetas të huaj i janë përgjigjur kërkesës për të ndihmuar që të luftohet Rusia në territorin e Ukrainës.

Sipas të dhënave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, rreth 16 mijë luftëtarë vullnetarë nga shtete të ndryshme, do t’i bashkohen së shpejti Ukrainës për luftimin e okupimit rus.

Ndryshe, forcat ukrainase tashmë kanë krijuar një legjion me luftëtarë ndërkombëtarë.

Vendet perëndimore kanë dhënë përkrahje për shtetasit e vet që duan t’i dalin  në krah Ukrainës, edhe në frontin e luftës.

[12:36] Zelensky: Rusia është detyruar t’i ndryshojë taktikat, sulmet s’na kanë bërë asgjë

Ukraina do të vazhdojë të mbrohet nga trupat ruse që shkelin qytetet kryesore një javë pas fillimit të pushtimit, tha presidenti Volodymyr Zelensky në adresimin e tij të fundit në Facebook, raporton CNN.

“Orët dhe ditët e para” të “luftës në shkallë të plotë” ishin “me të vërtetë të vështira”, tha ai, por ukrainasit ishin “të bashkuar, dhe për këtë arsye të fortë, dhe për këtë arsye ne ngulmuam. Dhe kështu do të vazhdojë. Ne vazhdojmë të qëndrojmë.”

Trupat ruse janë mbajtur nga rezistenca e ashpër ukrainase për të cilën Zelensky tha se është ende e paprekur.

“Të gjitha linjat e mbrojtjes sonë janë mbajtur. Armiku nuk ka sukses në asnjë drejtim strategjik”, tha ai.

[12:20] Zyrtarë të Ukrainës thonë se rusët e kanë rrethuar Mariupolin

Këshilltari i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Herashchenko ka thënë të enjten se trupat ruse e kanë rrethuar portin jugor të qytetit të Mariupolit, shkruan The Guardian.

Ai tha se rusët po tentojnë që ta kthejnë këtë qytet në Leningrad.

“Okupatorët duan ta kthejnë atë në Leningrad të rrethuar,” tha ai, duke iu referuar rrethimit të qytetit të atëhershëm sovjetik nga Gjermania naziste, ku rreth 1.5 milionë njerëz vdiqën gjatë dy viteve të bllokadës.

[12:09] NATO përsërit: Rusia të ndërpresë menjëherë pushtimin e Ukrainës

NATO, duke dënuar pushtimin në Ukrainë, ka kërkuar nga Rusia që menjëherë të ndërpresë agresionin e saj në Ukrainë dhe të tërheqë të gjitha forcat nga ky territor.

“NATO dënon fuqishëm pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës – e cila është një vend i pavarur, paqësor dhe demokratik, si dhe një partner i afërt i NATO-s. Aleanca i bën thirrje Rusisë që menjëherë të ndërpresë sulmin ushtarak, të tërheqë të gjitha forcat nga Ukraina dhe të kthehet prapa nga rruga e agresionit që ka zgjedhur”.

[12:06] Raportohet se sot do të zhvillohet takimi i radhës Ukrainë – Rusi, ndryshon vendtakimi

Delegacioni ukrainas dhe ai rus do të takohen sërish sot, sipas Vladimir Medinskyt, asistentit të presidentit rus, Vladimir Putin.

Siç raporton The Kyiv Indipendent, takimi i dytë mes delgacioneve të të dy vendeve do të mbahet sot në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë.

Dje u raportua gjithashtu se pritej një takim mes dy delegacioneve, por kjo nuk ndodhi.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, raportoi të mërkurën se delegacioni rus ishte nisur drejt vendit ku pritet të mbahej takimi i dytë Ukrainë – Rusi.

Ukraina ka hyrë në javën e dytë të luftës. Sulmet e para në territorin e këtij shteti, Rusia i nisi në mëngjesin e 24 shkurtit, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Gjatë ditës së djeshme shërbimi shtetëror i emergjencës së Ukrainës tha se më shumë se 2000 civilë ukrainas janë vrarë që kur Rusia filloi agresionin.

[11:47] Fillon hetimi kundër Rusisë për krime lufte e gjenocid, hetuesit e Hagës nisen drejt Ukrainës

Një hetim për krime të luftës lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia ka nisur sot pasi një numër i paprecedentë vendesh e mbështetën këtë, raporton The Guardian.

Karim Khan, kryeprokurori për Gjykatën Penale Ndërkombëtare tha se ai do ta fillojë punën “sa më shpejt të jetë e mundur” për të dëshmuar krime të mundshme kundër njerëzimit ose gjenocid të kryera në Ukrainë.

Referimi për hetim është bërë nga 39 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, kryeministri i së cilës tha se është i bindur se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë. Kjo ia mundësoi kryeprokurorit të kërkojë miratimin e gjykatës në Hagë për nisjen e hetimeve.

[11:23] Parlamenti ukrainas: Haga ka filluar hetimet për krime lufte kundër Rusisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka filluar hetimet për krimet e luftës së Rusisë mbi Ukrainë.

Sipas një njoftimi të Parlamentit të Ukrainës, Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ka deklaruar se pas kërkesës së 39 shteteve zyra e tij ka filluar një hetim.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka filluar hetimin e krimeve të luftës së Rusisë në Ukrainë”, thuhet në njoftim.

[11:20] Zelensky krahason pushtimin rus me pandeminë: Na ka sulmuar një virus tjetër

Mbrojtja e Ukrainës kundër pushtimit rus po funksionon, tha Presidenti Volodymyr Zelensky në një video të publikuar të enjten në rrjetet sociale.

Pavarësisht se Moska vijon të bombardojë Kievin dhe qytete të tjera prej mesnatës, nuk ia ka dalë të marrë kontrollin e kryeqytetit.

“Nuk kemi asgjë për të humbur përveç lirisë”, tha Zelensky, duke shtuar se forcat ukrainase kanë marrë çdo ditë furnizime në armatime nga aleatët ndërkombëtarë.

[11:09] Britania njofton se këto qytete mbeten nën kontroll të Ukrainës

Qytetet ukrainase të Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol “mbeten në duart e Ukrainës”, pavarësisht bombardimeve të rënda nga forcat ruse, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, raporton CNN.

“Disa forca ruse kanë hyrë në qytetin e Khersonit, por situata ushtarake mbetet e paqartë”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes në përditësimin e saj të fundit të inteligjencës.

[10:54] Khersoni pushtohet nga rusët, në rrezik qyteti-port kryesor në Ukrainë – Zelensky: Do t’i dëbojmë

Rusia ka pushtuar qytetin e saj të parë të madh në Ukrainë pas një jave luftimesh. Kherson tani është nën kontrollin e forcave të Putinit.

Igor Kolykhaiev, kryetari i bashkisë së qytetit tha se rusët kishin vendosur rregulla të reja duke përfshirë një shtetrrethim të rreptë dhe u kërkoi qytetarëve t’i ndiqnin ato.

Por mbetet e paqartë shkruajnë mediat e huaja, nëse forcat ukrainase ishin tërhequr plotësisht. Nëse Kherson është nën kontrollin e plotë rus, atëherë ai hap rrugë sulmit të Odessa – qyteti port kryesor i Ukrainës dhe baza kryesore detare.

Chernihiv, në veriperëndim, dhe Mariupol, në jug, gjithashtu mbeten nën kontrollin e Ukrainës, pavarësisht se janë të rrethuar nga forcat ruse dhe janë nën bombardime të rënda. Kryetari i bashkisë së Mariupol tha të mërkurën në mbrëmje se artileria ruse kishte rrafshuar pjesë të mëdha të qytetit në atë që përbënte ‘gjenocid’.

[10:40] Ushtria ukrainase rrëzon një aeroplan luftarak rus afër Kievit

Komandanti i Forcave ushtarake të Ukrainës, Valeriy Zalushniy, ka njoftuar se ushtria ukrainase ka rrëzuar një aeroplan luftarak rus afër Kievit.

Aeroplona Sukhoi Su-30 është rrëzuar në Irpin në periferi të kryeqytetit Kiev.

“Sapo rrëzuam një aeroplan rus Su-30 mbi Irpin”, ka shkruar ai në Facebook.

[10:30] Ministria e Jashtme e Ukrainës publikon humbjet e Rusisë në ushtri dhe makineri

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka publikuar disa të dhëna për humbjet e ushtrisë ruse gjatë agresionit në territorin e saj.

Sipas këtyre pretendimeve, forcat okupuese ruse kanë humbur 9000 persona dhe qindra mjete ushtarake të shkatërruara.

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë për herë të parë ka raportuar për humbjet që i ka pësuar në Ukrainë, por kjo shifër është dukshme më e vogël sesa pretendimet e Ukrainës.

Rusia tha se 498 ushtarë të saj janë vrarë dhe 1597 janë plagosur.

[10:13] Gjermania dërgon 2700 raketa kundërajrore në Ukrainë

Ministria gjermane e Financave ka miratuar vendosjen e 2700 raketave kundërajrore në ushtrinë ukrainase, pas pushtimit rus.

Bëhet fjalë për raketat Strela të prodhimit sovjetik. Qeveria e kancelarit Olaf Soltz tani ka vendosur të ndryshojë politikën e embargos së armëve të Berlinit, e cila ka qenë në fuqi prej vitesh, për të lejuar dërgesat direkte të armëve në Ukrainë pas pushtimit ushtarak rus.

Ministria Gjermane e Mbrojtjes është duke studiuar ditët e fundit se me çfarë lloj armësh të tjera mund të furnizojnë Kievin në të ardhmen e afërt.

[10:04] 34 civilë të vrarë nga sulmet ruse në 24 orët e fundit në rajonin e Kharkiv

Granatimet dhe sulmet ruse ndaj popullatës civile vranë 34 civilë në rajonin lindor të Kharkiv të Ukrainës në 24 orët e fundit midis 2 dhe 3 marsit, thanë të enjten shërbimet e urgjencës, shkruan The Guardian.

Veçmas, Reuters raportoi se guvernatori i rajonit lindor të Donetskut të kontrolluar nga Ukraina tha se qyteti port i Mariupol, një nga objektivat e parë të pushtimit rus, ishte pa furnizime me energji elektrike ose ujë.

[09:40] “Nuk po arrijmë t’i marrim dot të plagosurit nga rruga, ka shumë sulme”, flet kryetari i qyteti ukrainas

Qyteti port i Mariupolit në bregun e Detit të Zi në Ukrainë vazhdon të jetë nën sulme të vazhdueshme nga ushtria ruse.

Nëpërmjet një video mesazhi kryetari i qytetit thotë se autoritete ukrainase e kanë të pamundur të marrin qytetarët e plagosur që ndodhen në rrugë apo në banesat e tyre, për ti dhënë ndihmë, pasi shpërthimet janë të njëpasnjëshme.

“Nuk po arrijmë t’i marrim dot të plagosurit, as nga rrugët, as nga banesat, pasi sulmet me granata nuk kanë të ndalur”, tha kryetari i qytetit, shkruan BBC.

[09:39] Sulm ajror ndaj depos së naftës në qytetin verior të Ukrainës

Një depo nafte në qytetin Chernihiv, në veri të Ukrainës u godit nga bombardimet gjatë një sulmi ajror të enjten në mëngjes.

Lajmi është njoftuar nga Shërbimi Shtetëror i Ukrainës për Emergjencat.

Për të shikuar pamjet, kliko KËTU.

[08:57] OKB: Mbi 1 milion refugjatë janë larguar nga Ukraina deri më tani

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët më shumë se 1 milion persona janë larguar nga Ukraina për shkak të agresionit rus, shkruan The Guardian.

Kreu i kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Filippo Grandi tha:

“Në vetëm shtatë ditë ne kemi qenë dëshmitarë të eksodit të një milion refugjatësh nga Ukraina në vendet fqinje. Ka ardhur koha që lufta të marrë fund”, tha ai.

[08:21] Të paktën 4 shpërthime në Kiev, vriten 8 civilë në Kharkiv

Të paktën katër shpërthime kanë ndodhur në orët e para të së enjtes në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev. Granatat ruse vranë 8 civilë afër qytetit Kharkiv.

Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për të drejtat e njeriut tha se 227 civilë janë vrarë në pesë ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës.

Sistemi bankar SWIFT ka njoftuar se më 12 mars do të përjashtojë nga rrjeti i tij global shtatë banka ruse, në linjë me sanksionet ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

[08:10] Çka ka ndodhur që prej dje në Ukrainë?

Zhvillimet kryesore në Ukrainë në nisjen e ditës së tetë të luftës.

Të paktën katër shpërthime kanë ndodhur në orët e para të së enjtes në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.

Granatat ruse vranë 8 civilë afër qytetit Kharkiv.

Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për të drejtat e njeriut tha se 227 civilë janë vrarë në pesë ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës.

Deri në 15,000 njerëz janë të strehuar në stacionet e metrosë së Kievit.

[07:51] Rusia pushton qytetin kyç të Ukrainës jugore

Trupat ruse kanë pushtuar qytetin Kherson, që shënon qytetin e parë i madh ukrainas që ra në një luftë shkatërruese një javore që ka krijuar tashmë një milion refugjatë.

Marrja nën kontroll e qytetit prej 290,000 banorësh, i cili vetëm vitin e kaluar mbajti stërvitje luftarake të mbështetura nga NATO, u pa si një nxitje e rëndësishme për Moskën, teksa përgatitet për bisedimet e mundshme të armëpushimit të enjten.

“Okupatorët” rusë ishin në “të gjitha anët” e Khersonit, pranoi zyrtari rajonal ukrainas, Gennadi Lakhuta vonë të mërkurën.

Pushtimi erdhi pas një rrethimi tre-ditor që e la këtë qytet pa ushqim dhe ilaçe dhe duke u përpjekur për të mbledhur dhe varrosur të vdekurit.

[07:21] Lufta në Ukrainë, Koreja e Jugut zhvendos ambasadën e saj nga Kievi

Koreja e Jugut po zhvendos ambasadën e saj në Ukrainë nga Kievi në një “zonë të sigurt,” tha të mërkurën Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ndërsa trupat ruse shtojnë sulmin e tyre në kryeqytetin ukrainas. Ministria nuk bëri të ditur destinacionin e ambasadës, duke përmendur arsye sigurie.

Ambasada do të rifillojë funksionimin sapo të vendoset në vendndodhjen e re, tha ministria. Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut Chung Eui-yong foli me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba me telefon të mërkurën, sipas ministrisë. Pas kërkesës së Ukrainës, Koreja e Jugut do të dorëzojë furnizime mjekësore urgjente duke përfshirë pajisje personale mbrojtëse, komplete të ndihmës së parë, doreza, maska ​​dhe batanije raporton “CNN”.

[07:17] Zelensky del me një video-mesazh të ri: Ne jemi një komb që prishi planet e armikut brenda një jave

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, postoi një video-mesazh të ri për qytetarët mbrëmjen e së mërkurës, duke u kërkuar atyre që të vazhdojnë luftën kundër pushtuesve rusë.

Videoja e postuar në rrjetin social Facebook ka mbishkrimin: “Çdo pushtues duhet ta dijë: do të kundërshtohen ashpër nga ukrainasit”.

“Ne jemi një komb që prishi planet e armikut brenda një jave”, tha presidenti Zelensky.

“Ne i ndaluam ata”, shtoi ai.

[02:03] Dëgjohen shpërthime të mëdha në Kiev

Shpërthime të mëdha janë dëgjuar në Kiev në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte

Kievi vazhdon të jetë i rrethuar nga ushtria ruse, derisa deri me tani kryeqyteti ukrainas ka arritur që ta ndal pushtimin rus.

Sonte, në orët e para të mëngjesit, siç njoftojnë mediat nga atje, janë dëgjuar disa shpërthime të fuqishme.

(Kosova Sot Online)